Atentati i Rinasit ende një mister/ Zbulohet detaji i ambulancës që ndihmoi autorët të arratisen

Ka kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga atentati i bujshëm i ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe disa ditë më pas humbi jetën edhe miku i tij, Muçi Shaljani, ndërsa hetimet kanë sjellë detaje të reja tronditëse mbi mënyrën e organizimit të krimit.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, është konstatuar se autorët, pasi qëlluan me breshëri automjetin ku udhëtonin Dani dhe Shaljani dhe dogjën mjetin tip “Toyota” të përdorur në atentat, janë larguar nga zona duke përdorur një mjet të kamufluar si ambulancë.

Sipas hetuesve, ambulanca e dyshuar ka qëndruar në afërsi të rrethrrotullimit të Rinasit në momentin e atentatit dhe është vënë në lëvizje vetëm pasi autorët janë siguruar se vrasja ishte kryer. “Mjeti është larguar më pas në drejtim të fshatit Halil”, thanë burimet.

Po sipas hetimeve, autorët dogjën automjetin “Toyota” në një zonë të pyllëzuar dhe kodrinore të fshatit Halil, aty ku dyshohet se i priste edhe ambulanca e kamufluar, e cila shërbeu për t’u larguar nga vendi i ngjarjes në një drejtim ende të panjohur.

Ngjarja kriminale ndodhi mesditën e 11 nëntorit. Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga një udhëtim katërditor në Barcelonë dhe, pak minuta para atentatit, kishin marrë automjetin e parkuar në ambientet e Aeroportit të Rinasit, duke u nisur drejt Tiranës.

Në momentin që automjeti tip “Mercedes” mbërriti në rrethrrotullimin e aeroportit, ai u vu në shënjestër të sulmit. Autorët, të cilët sipas policisë lëviznin me një mjet me targa greke, hapën zjarr me kallashnikov nga ana e djathtë e mjetit, aty ku ndodhej Gilmando Dani, në vendin e parë të pasagjerit.

Plumbat përshkuan edhe pjesën tjetër të automjetit, duke plagosur rëndë drejtuesin e tij, Muçi Shaljani. Si pasojë e breshërisë së armëve, Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani, i plagosur rëndë, ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës.

Hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit vijojnë, ndërsa përdorimi i një ambulance të kamufluar për largimin nga vendngjarja ka shtuar dyshimet për një krim të mirëorganizuar dhe me logjistikë të sofistikuar.