Albin Kurti shpall fitoren në zgjedhjet e parakohshme: “Më e madhja në histori!” Thirrje opozitës për bashkëpunim në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, doli forcë e parë politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura këtë të diel në Kosovë, duke siguruar një fitore bindëse.

Sipas rezultateve nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, LVV kryesoi me 49.30% të votave. Në vendin e dytë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e drejtuar nga Bedri Hamza, me 21.01%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, mori 13.59% të votave.

Pas publikimit të rezultateve paraprake, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se do të merrte përsipër të gjitha përgjegjësitë për rezultatin zgjedhor, duke lënë të hapur edhe mundësinë e dorëheqjes nga drejtimi i partisë.

Nga ana tjetër, Albin Kurti shpalli fitoren e LVV-së, të cilën e cilësoi si një arritje historike për vendin. Ai u shpreh se rezultati përfaqësonte një fitore të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partnerëve të koalicionit.

“Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit”, deklaroi Kurti, duke shtuar se sa më shpejt të certifikoheshin rezultatet zgjedhore, aq më shpejt do të duhej të krijoheshin institucionet e reja. Ai theksoi se kjo do t’i hapte rrugë vazhdimit të punës qeverisëse pa vonesa.

Kryeministri në detyrë ftoi gjithashtu partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend, veçanërisht për çështjet që lidhen me marrëveshjet dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit institucional në proceset kyçe për vendin.