Salianji nuk ndalet! Njofton takimin e radhës me demokratët, pavarësisht sulmeve nga elita e PD

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, pritet të vijojë turin e takimeve me demokratët në degë të ndryshme të vendit. Ditën e nesërme, Salianji do të ndalet në Shkodër, ku do të zhvillojë një takim me anëtarë dhe struktura të PD-së.

Takimi do të mbahet në hotel “Rozafa”, në orën 18:00. Më herët, ish-deputeti ka zhvilluar takime të ngjashme edhe në Elbasan, Durrës dhe Gjirokastër, në kuadër të një serie konsultimesh me bazën demokrate.

Takimi i zhvilluar në Elbasan u shndërrua në një pikë tensioni brenda strukturave drejtuese të PD-së, duke u kthyer në “mollë sherri” në mbledhjet e Kryesisë së Partisë Demokratike. Flamur Noka dhe Sali Berisha e akuzuan Salianjin se e kishte organizuar këtë takim me mbështetjen e Suel Çelës, akuza që ndezën debat të fortë brenda selisë blu.

Ndërkohë, pas protestës së zhvilluar ditën e hënë në mbështetje të Ervin Salianjit, Flamur Noka deklaroi në një intervistë për News24 se ish-deputeti ishte “vetëpërjashtuar nga Kryesia e Partisë Demokratike”.

Sipas burimeve pranë Salianjit, këto takime po zhvillohen me synimin që në Partinë Demokratike të ketë më shumë hapësira për të rinjtë, si dhe që të dëgjohet zëri i kandidatëve nga lista e hapur që nuk arritën të sigurojnë mandat pas zgjedhjeve të 11 majit. Po ashtu, Salianji synon, përmes këtyre kontakteve direkte me bazën, të kontribuojë në rigjallërimin e Partisë Demokratike dhe kthimin e saj në një forcë politike konkurruese dhe fituese përballë Partisë Socialiste.