Nga kullat e Tiranës, tek resortet në bregdet/ SPAK përgatitet për goditje të niveleve të larta me mbështetjen e SHBA-ve

Shtetet e Bashkuara pritet të rrisin ndjeshëm presionin ndaj korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, duke vendosur në fokus AKSHI-n, korporatat shtetërore, koncesionet, ndërtimin dhe sektorët strategjikë të ekonomisë. Lajmi u raportua më herët nga Newsbomb.al, i cili bëri të ditur se një projektligj amerikan është dërguar në Kongres, me synim ndërmarrjen e një nisme të fortë antikorrupsion në rajon.

Sipas projektligjit, në Shqipëri “rezultati më i mundshëm është një ‘valë e dytë’ sanksionesh që do të mbushë hendekun midis statusit politik ‘Non Grata’ dhe padive penale”, ndërsa theksohet se në qendër të vëmendjes do të jenë “krahët financiarë” të politikanëve.

Afati 90-ditor i parashikuar në dokument përfundon në mars të vitit 2026. Pas miratimit nga Kongresi Amerikan, Departamenti i Shtetit pritet të ndërmarrë veprime konkrete, të fokusuara në shënjestrimin e politikanëve dhe çmontimin e rrjeteve financiare që i mbështesin ata.

“Nëpërmjet emërimit të mundësuesve ekonomikë, figurave të biznesit dhe ‘ndërmjetësve’ që lehtësojnë korrupsionin, SHBA-të në fakt po ofrojnë një plan veprimi për SPAK-un, për të kaluar nga ngrirja e aseteve në arrestime të nivelit të lartë”, thuhet më tej në njoftim, duke shtuar se synimi është “pastrimi i tregut nga konkurrenca e shtrembëruar përpara zgjedhjeve të vitit 2027”.

Në praktikë, ekonomia shqiptare pritet të vihet nën lupën e partnerëve amerikanë, të cilët përmes sanksioneve, shpalljeve “non-grata” dhe asistencës informative, do të mbështesin SPAK-un në hetime dhe arrestime në nivele të larta të politikës dhe biznesit.

Në kuadër të Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, parashikohet që të monitorohen veçanërisht sektorët ku dyshohet se qarkullon fluksi më i lartë i “parave gri”. Në këtë listë përfshihen infrastruktura teknologjike dhe dixhitale, me fokus te kontraktorët e AKSHI-t; pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, përfshirë resortet luksoze në bregdet dhe kullat në Tiranë; energjia dhe shërbimet, ku do të mbikëqyren korporatat shtetërore si KESH dhe OST; si edhe partneritetet publike-private, bankat, financat dhe turizmi strategjik.

Projektligji në fjalë është propozuar që më 2 gusht 2022 nga një grup senatorësh amerikanë dypartiakë dhe synon forcimin e bashkëpunimit mes SHBA-ve dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me objektiv rritjen e demokracisë, transparencës dhe luftën kundër korrupsionit në rajon.