Një ngjarje tragjike u regjistrua mbrëmjen e djeshme në fshatin Novoselë, ku një ndeshje futbolli mes miqsh u kthye në fatalitet.
Një 42-vjeçar, me iniciale B.R., i cili jetonte dhe punonte në Gjermani dhe ndodhej në Shqipëri për pushime, humbi jetën teksa luante futboll në një kalçeto të fshatit të tij të lindjes. Sipas burimeve paraprake, gjatë lojës ai dyshohet se u godit fort nga topi në kraharor dhe pak çaste më pas humbi ndjenjat.
Persona që ndodheshin në vendngjarje deklaruan se “pas goditjes, ai u rrëzua në fushë dhe nuk reagoi më”. Shokët e tij e transportuan menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht ndihmës mjekësore, 42-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Mjekët bënë me dije se viktima kishte pësuar arrest kardiak gjatë ndeshjes, i cili rezultoi fatal. “Të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në jetë ishin të pasuksesshme”, konfirmuan burime spitalore. Mostrat biologjike të tij janë dërguar në Tiranë për autopsi, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të dalin pas rreth tre muajsh, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, specialistë të shëndetësisë kanë ngritur shqetësimin se raste të tilla po shfaqen gjithnjë e më shpesh, veçanërisht në grupmoshat 40–50 vjeç. Sipas tyre, “angazhimi në aktivitete sportive intensive pa kontrolle mjekësore paraprake përbën një rrezik serioz për sistemin kardiovaskular”, duke paralajmëruar se mungesa e vlerësimeve shëndetësore mund të çojë në pasoja fatale, si arresti kardiak.