Zvicër/ Gruaja shqiptare gjendet e masakruar në banesë. 3 të arrestuar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Buchs, në kantonin e Zyrihut, ku një grua 71-vjeçare me origjinë nga Kosova është gjetur e pajetë mbrëmjen e së mërkurës, raportojnë mediat zviceriane.

Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Zyrihut, trupi i viktimës u zbulua pak pas mesnatës në një ndërtesë banimi. Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje konfirmuan vdekjen e saj, ndërsa shenjat paraprake flasin për një vrasje, megjithëse rrethanat e sakta nuk janë bërë ende publike.

Në lidhje me ngjarjen, policia arrestoi menjëherë tre persona që ndodheshin në banesë: një grua zvicerane 48-vjeçare dhe dy burra zviceranë, përkatësisht 27 dhe 51 vjeç. Ende nuk dihet roli i secilit prej tyre në këtë ngjarje, as motivi që çoi në krim.

Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda, në bashkëpunim me policinë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se, për shkak të fazës hetimore, nuk do të ketë detaje të tjera për momentin, ndërsa zbardhja e plotë e rrethanave dhe motiveve mbetet prioritet i hetimit.