Vranë 20-vjeçarin Pavlin Preka sepse donte të fejohej me 16-vjeçaren/ Gjykata lë në burg dy të akuzuarit

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun, 43 vjeç, dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç, të dyshuar si autorë të vrasjes së 20-vjeçarit Pavlin Preka.

Masa u kërkua nga prokurori Albert Murçaj, drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, i cili theksoi se ndaj dy të dyshuarve ekzistojnë përgjime telefonike dhe prova të tjera që vijojnë të jenë sekret hetimor, por që sipas tij përbëjnë një bazë të fortë për ngritjen e dyshimeve të arsyeshme.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës Arbër Raja dhe Blerim Bazhdari kërkuan që ndaj Koçekut dhe Lisajt të mos caktohej asnjë masë sigurie, duke argumentuar mungesën e provave konkrete që, sipas tyre, i lidhin drejtpërdrejt me vrasjen e Pavlin Prekës.

Të dy të dyshuarit kanë mohuar vazhdimisht autorësinë e krimit, si gjatë marrjes në pyetje nga policia, ashtu edhe në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë. Ata kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe se nuk kanë qenë të pranishëm në momentin kur ka ndodhur vrasja.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 20 shkurt të këtij viti në zonën e Gucisë së Re, njësia administrative Rrethina, Shkodër.

Detaje nga hetimet

Sipas burimeve hetimore, vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të hershëm që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila në atë kohë ishte 13 vjeçe.

Hetimet tregojnë se rreth tre vite më parë, Pavlin Preka kishte kërkuar dorën e vajzës së Koçekut për fejesë. Në atë kohë, vajza ishte 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa u refuzua nga familja e vajzës, me argumentin se ajo ishte e mitur. Megjithatë, sipas prokurorisë, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes për vajzën, gjë që ka sjellë përplasje të vazhdueshme mes palëve.

Sipas dyshimeve të hetimit, në mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, dyshohet se Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. Xhaxhai i viktimës ka deklaruar para autoriteteve se Pavlin Preka nuk kishte konflikte me persona të tjerë dhe jetonte një jetë të qetë mes Shkodrës dhe Dukagjinit.

Hetimet për vrasjen e Pavlin Prekës vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Shkodrën.