Pas katër javësh hetime intensive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Labirinti 2”, duke goditur një grup të strukturuar kriminal që ushtronte veprimtari të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se 33 shtetas, individualisht ose të organizuar në grupe, ishin të përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike në forma të ndryshme. Për 22 prej tyre është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa 5 persona janë arrestuar gjatë fazës hetimore. Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë, të shpallur në kërkim, të identifikuar si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;10 kg Cannabis Sativa dhe rreth 100 doza të kësaj lënde, 5 automjete, 28 telefona celularë, 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan me masën “Arrest në burg” shtetasit:
Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar gjithashtu shtetasit A. V., 23 vjeç; E. P., 22 vjeç; G. V., 19 vjeç; S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve u janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.
Sipas Policisë, aktiviteti kriminal ishte i shtrirë në disa zona të kryeqytetit, kryesisht në Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit. Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij rrjeti.