Këshilli i Ministrave ka vendosur që dita e premte, më 26 dhjetor 2025, të jetë ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore. Vendimi është marrë në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me propozimin e Kryeministrit Edi Rama.
Sipas vendimit të qeverisë, dita e punës e datës 26 dhjetor 2025 do të zëvendësohet me një ditë tjetër pushimi, e cila do të kompensohet brenda tremujorit të parë të vitit 2026.
Institucionet e administratës shtetërore janë ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë pas miratimit dhe do të publikohet në “Fletoren Zyrtare”.