Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure në Skrapar, ku një automjet me tre të rinj ka dalë nga rruga, duke rrezikuar seriozisht të përfundonte në lumë.
Ngjarja mund të kishte pasur pasoja tragjike, nëse në vendin e aksidentit nuk do të ndodhej rastësisht një kamionist. Jetnor Merko, nga Korça, i cili po udhëtonte në të njëjtin segment rrugor në momentin e aksidentit, ka reaguar menjëherë duke ndërhyrë për të ndihmuar.
Merko ka lidhur një litar të fortë në kamionin e tij dhe ka siguruar automjetin e aksidentuar, duke e mbajtur të fiksuar dhe duke penguar rrëshqitjen e tij drejt lumit, deri në mbërritjen e forcave zjarrfikëse. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe vendimtare të kamionistit, tre të rinjtë janë nxjerrë të sigurt nga automjeti, pa pasoja për jetën.
Rrethanat e aksidentit po hetohen nga autoritetet përkatëse.