Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi nën hetim nga SPAK? Shfaqet në publik i shoqëruar nga badigardë

Emri i Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, është rikthyer në vëmendjen publike, teksa burime jozyrtare e lidhin atë me hetimet që po zhvillon Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të dosjes së tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas informacioneve që qarkullojnë në rrethet mediatike dhe politike, organi i akuzës po verifikon procedura që lidhen me një tender të klasifikuar, ku po analizohen vendimmarrjet institucionale, lidhjet funksionale dhe përfitimet e mundshme të paligjshme. Paralelisht, po hetohet edhe një transaksion i dyshuar që lidhet me çështjen e inceneratorëve, dosje kjo që vijon të jetë nën lupën e drejtësisë së posaçme.

Në këtë kontekst, lëvizjet e fundit të Agaçit në publik kanë tërhequr vëmendje. Ditën e djeshme ai është parë në zonën e Bllokut në Tiranë, në shoqërinë e familjarëve, ndërsa sot është vënë re në zonën e Liqenit Artificial, këtë herë i shoqëruar nga disa persona që dyshohet se ishin truproja. Prania e tyre ka nxitur spekulime të reja, në një klimë të ndjeshme ku çdo zyrtar i lidhur me tendera publikë dhe sektorë strategjikë po monitorohet nga afër.

Kujtohet se Engjëll Agaçi është thirrur edhe më herët nga SPAK. Në tetor të vitit 2022 dhe sërish në maj 2024, ai është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku herën e fundit ka deklaruar publikisht se ishte pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Deri në këtë fazë nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për statusin procedurial të Agaçit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të mundshme penale.