Çështja “Gërdeci”/ SPAK zbulon faksin e Ministrisë së Drejtësisë për Shkëlzen Berishën

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti të martën, më 23 dhjetor, prova në funksion të gjykimit të çështjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me shkaqet që çuan në shpërthimin tragjik të Gërdecit në vitin 2008.

Prokurori i çështjes, Arben Kraja, bëri me dije se në maj të vitit 2008 janë sekuestruar në qendrën e ndërlidhjes së Ministrisë së Mbrojtjes disa komunikime me faks mes këtij institucioni dhe institucioneve të tjera shtetërore. Sipas tij, ndër dokumentet e sekuestruara ndodhet edhe një faks i dërguar nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, pa numër dhe pa datë, me lëndë “mendim për një projektvendim”, i protokolluar në Ministrinë e Mbrojtjes në muajin mars 2007.

Kraja sqaroi se, në këtë korrespondencë zyrtare, Ministria e Drejtësisë shprehej parimisht dakord me projektvendimin që lidhej me procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi.

Një element i rëndësishëm i provave, sipas prokurorit, është fakti se në cepin e majtë të sipërm të dokumentit të dërguar me faks figuron shënimi “për z. Shkëlzen Berisha”. Kraja theksoi se ky shënim nuk është shtuar më vonë, por rezulton të ketë qenë pjesë e përmbajtjes origjinale të dokumentit të dërguar nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë kuadër, SPAK kërkon që të pyetet si dëshmitare edhe Anjola Agolli, sekretare e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.

Në vijim të seancës, prokurori Kraja renditi edhe dokumente të tjera të administruara si prova, përfshirë kërkesa për ndihmë juridike, vendime gjyqësore, procesverbale të këqyrjes së tabulateve telefonike dhe akte ekspertimi ushtarak. Sipas SPAK, një vendim i Komisionit të Posaçëm për Kategorizimin e Pajisjeve, i marrë në nëntor 2007, ka kategorizuar për shitje municione me kalibër të madh në tejkalim të një vendimi të qeverisë të marsit 2007.

Kraja deklaroi se nga provat rezulton se Fatmir Mediu ka pasur dijeni për vendimin e këtij komisioni dhe ka qenë i interesuar për ecurinë e procesit të vendimmarrjes.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të Mediut, avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha, kërkuan kohë për t’u njohur dhe përgatitur qëndrimin e tyre ndaj provave të paraqitura nga SPAK. Gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, pranoi kërkesën dhe shtyu seancën për datën 14 janar të vitit të ardhshëm, në orën 09:00.

Çështja ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes u rihap pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit të marsit 2008 në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve” në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të viteve 2012 dhe 2017, deputetët nuk gëzojnë më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tyre, çka ka hapur rrugën për hetimin dhe gjykimin e Fatmir Mediut, i cili akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Procesi gjyqësor ndaj Mediut kaloi për gjykim më 6 prill 2023 dhe ndodhet aktualisht në fazën e paraqitjes së provave nga ana e SPAK.