SHBA/ Donald Trump pezullon Lotarinë Amerikane, vendimi prek edhe Shqipërinë

Administrata amerikane ka vendosur të pezullojë përkohësisht programin e Lotarisë Amerikane (Diversity Visa Lottery), pas një sulmi të rëndë me armë zjarri të ndodhur javën e kaluar në Universitetin Brown, ku humbën jetën dy persona. Vendimi është marrë me urdhër të presidentit Donald Trump dhe pritet të ketë ndikim edhe për mijëra aplikantë nga Shqipëria.

Sekretarja e Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, Kristi Noem, konfirmoi pezullimin e programit, duke deklaruar se masa synon “të sigurojë që asnjë amerikan tjetër të mos rrezikohet nga ky program shkatërrues”. Sipas saj, pezullimi do të zgjasë deri në një rishikim të plotë të procedurave të përzgjedhjes dhe kontrollit të aplikantëve.

Ngjarja që çoi në këtë vendim lidhet me autorin e dyshuar të sulmit në Universitetin Brown, Claudio Neves Valente, 48 vjeç, shtetas portugez, i cili kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave të diversitetit (DV1) në vitin 2017 dhe kishte përfituar më pas leje qëndrimi të përhershme (green card). Autoritetet amerikane bëjnë me dije se Valente dyshohet gjithashtu se kishte vrarë më herët gjatë javës profesorin portugez të Institutit të Teknologjisë së Massachusetts (MIT), Nuno Loureiro.

Pas një kërkimi gjashtëditor në disa shtete, i dyshuari u gjet i vdekur në një ambient magazinimi në Salem, New Hampshire. Sipas policisë, nuk ka indicie për përfshirjen e personave të tjerë në vdekjen e tij. Hetuesit deklaruan se pamjet filmike dhe informacionet e marra nga publiku i çuan drejt një kompanie makinash me qira, ku u identifikua emri i tij. Në momentin e gjetjes, ai kishte me vete një çantë dhe dy armë zjarri, ndërsa provat e sekuestruara në një automjet aty pranë përputheshin me vendin e ngjarjes në Providence, Rhode Island.

Në një reagim publik, Kristi Noem kujtoi se presidenti Trump kishte kërkuar mbylljen e këtij programi edhe në vitin 2017, pas sulmit me kamion në Nju Jork, ku humbën jetën tetë persona. Autori i atij sulmi, shtetasi uzbek Sayfullo Saipov, i dënuar më pas me disa dënime të përjetshme, kishte hyrë gjithashtu në SHBA përmes programit të Lotarisë Amerikane.

Programi i Diversity Visa ofron çdo vit deri në 50 mijë viza për shtetas nga vende me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, përmes një procesi përzgjedhjeje të rastësishme. Për vite me radhë, ky program ka qenë një nga rrugët kryesore ligjore të emigrimit për qytetarë nga shumë vende, përfshirë Shqipërinë.

“Lajm i keq” për Shqipërinë

Pezullimi i Lotarisë Amerikane pritet të shihet si një lajm negativ për shumë qytetarë shqiptarë. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një anulim përfundimtar, por për një pezullim, programi ka pasur ndër vite interes shumë të lartë në Shqipëri. Përmes tij, mijëra shqiptarë kanë emigruar në SHBA dhe kanë ndërtuar jetën e tyre atje.

Këtë vit, procedurat për aplikimin në DV Lottery nuk janë aktivizuar ende zyrtarisht, duke krijuar paqartësi për aplikantët potencialë. Deri më 19 dhjetor, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë një njoftim apo sqarim zyrtar mbi afatet dhe të ardhmen e programit.

Sipas të dhënave të publikuara nga media italiane La Repubblica, programi i Lotarisë Amerikane ka marrë deri në 20 milionë aplikime në vitin 2025 nga e gjithë bota, ndërsa rreth 131 mijë aplikantë janë shpallur fitues. Pezullimi aktual lë në pritje miliona persona që e shohin këtë program si një mundësi për një jetë të re në Shtetet e Bashkuara.