Aktorja e njohur turke Ezgi Eyüpoğlu, e famshme për rolin e saj në serialin historik “Sulejmani i Madhërishëm”, është arrestuar së bashku me shtatë persona të tjerë në kuadër të një hetimi të gjerë për drogë në Stamboll.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, Eyüpoğlu është ndaluar nën dyshimin për blerje dhe përdorim të lëndëve narkotike për konsum personal. Autoritetet sqarojnë se ndaj saj po kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimit.
Në të njëjtin operacion janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të identifikuar me inicialet E.K. dhe I.A.A., të dyshuar për prodhim dhe trafikim droge. Ndërkohë, katër persona të tjerë janë vënë në pranga për lehtësim të prostitucionit, duke e bërë çështjen pjesë të një dosjeje më të gjerë kriminale.
Mediat turke raportojnë se ky operacion përbën fazën e fundit të një hetimi të nisur që prej muajit tetor, gjatë të cilit janë arrestuar dhjetëra persona. Në kuadër të këtij hetimi, kohët e fundit janë marrë në pyetje apo ndaluar edhe prezantues të njohur të lajmeve televizive, gjithashtu nën dyshimin për përdorim droge.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi masat e sigurisë që mund të merren ndaj të arrestuarve, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe përmasat e aktivitetit të paligjshëm.