Andrea Shllaku është emëruar këtë të premte zëvendësministër i Mbrojtjes, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe firmë të kryeministrit Edi Rama. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.
Sipas njoftimit zyrtar, Shllaku i bashkohet Kabinetit qeveritar pas një eksperience disa-vjeçare në administratën publike dhe në sektorin e menaxhimit operacional dhe logjistik, veçanërisht në fushën portuale.
Andrea Shllaku ka përfunduar studimet e larta jashtë vendit dhe konsiderohet njohës i mirë i menaxhimit financiar, menaxhimit të projekteve, logjistikës portuale, procedurave doganore të import-eksportit, si dhe funksionimit të administratës publike. Në fillimet e karrierës së tij profesionale, ai ka shërbyer për rreth dy vjet si Koordinator i fondeve IPA dhe Specialist Marketingu në Ministrinë e Inovacionit, ku ka qenë i angazhuar në projekte që synonin përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e transparencës institucionale.
Më pas, për tre vite me radhë, Shllaku ka mbajtur detyrën e Përgjegjësit të Shërbimeve të Brendshme në Kryeministri. Në këtë pozicion, ai ka pasur si përgjegjësi kryesore planifikimin dhe realizimin e operacioneve logjistike në nivelin më të lartë të qeverisjes, duke u përfshirë drejtpërdrejt në mbështetjen funksionale të veprimtarisë së ekzekutivit.
Pas kësaj eksperience, ai ka vijuar karrierën në Autoritetin Portual Durrës, ku fillimisht ka shërbyer për tre vite si Drejtor i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv. Më pas, për dy vite, Andrea Shllaku ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Divizionit Operacional, duke mbikëqyrur operacionet portuale dhe ndjekur objektivat strategjikë të zhvillimit të këtij institucioni kyç për ekonominë e vendit.
Para emërimit si zëvendësministër i Mbrojtjes, Shllaku ka ushtruar funksionin e Këshilltarit të Jashtëm për Infrastrukturat Portuale pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e drejtuar nga ministri Pirro Vengu. Kjo përvojë e fundit e ka afruar drejtpërdrejt me sektorin e mbrojtjes, veçanërisht në aspektin e infrastrukturave strategjike dhe logjistikës.
Me këtë emërim, Andrea Shllaku pritet të kontribuojë në drejtimin dhe zbatimin e politikave të Ministrisë së Mbrojtjes, duke sjellë përvojën e tij në menaxhim, logjistikë dhe administratë publike.