Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte vendimin për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, duke e çuar atë nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në muaj. Vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 dhe prek drejtpërdrejt një numër të konsiderueshëm punonjësish në sektorin publik dhe privat.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se nga kjo rritje përfitojnë rreth 307 mijë punonjës të regjistruar, duke e cilësuar vendimin si pjesë të angazhimeve të qeverisë për përmirësimin e standardit të jetesës dhe forcimin e tregut të punës.
“Qeveria miratoi rritjen e pagës minimale, duke mbajtur një tjetër angazhim të dhënë ndaj qytetarëve. Nga 40 mijë lekë, paga minimale mujore rritet në 50 mijë lekë, duke përfshirë 307,850 punonjës në sektorin publik dhe privat”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, kjo masë synon jo vetëm mbrojtjen e fuqisë blerëse të punonjësve, por edhe rritjen e cilësisë së jetesës për mijëra familje shqiptare. Ministrja theksoi se përmes kësaj rritjeje qeveria synon të fuqizojë kapitalin njerëzor dhe të krijojë kushte më dinjitoze pune.
“Ky vendim ka për qëllim mbrojtjen e nivelit të jetesës së të punësuarve, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardit të jetesës për mijëra familje shqiptare”, tha ajo.
Një tjetër element i rëndësishëm i vendimit lidhet me luftën kundër informalitetit. Ibrahimaj nënvizoi se rritja e pagës minimale do të ndihmojë në uljen e punës informale dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore në tregun e punës.
“Rritja e pagës minimale ndihmon në uljen e informalitetit në tregun e punës dhe në forcimin e respektimit të kontratave ligjore. Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike”, shkroi ministrja në reagimin e saj.
Për të lehtësuar barrën financiare mbi biznesin, qeveria ka vendosur që për nëntë muajt e parë të zbatimit të kësaj rritjeje, kostoja shtesë për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të mos paguhet nga punëdhënësit, por të mbulohet nga shteti.
Ky vendim konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në politikat e pagave vitet e fundit dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në mirëqenien e punonjësve, ashtu edhe në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.