Tre ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës, që pritet të zhvillohet të hënën më 22 dhjetor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë vendimin për të larguar Ervin Salianjin nga detyra e drejtuesit politik në Njësinë Administrative nr. 6 në Tiranë.
Vendimi vjen në një moment delikat për opozitën, teksa strukturat e PD-së ndodhen në fazë intensive mobilizimi për protestën kundër qeverisë. Lëvizja e Berishës shihet si pjesë e tensioneve të brendshme që kanë shoqëruar zhvillimet e fundit në selinë blu, veçanërisht pas takimeve të zhvilluara nga Salianji me demokratët në disa qytete të vendit.
Ervin Salianji ka qenë aktiv prej muajsh në Njësinë 6, veçanërisht në zonën e Kombinatit, ku ka zhvilluar takime të shpeshta me strukturat lokale dhe simpatizantët e Partisë Demokratike. Burime nga baza bëjnë me dije se këto takime janë shoqëruar me pjesëmarrje të konsiderueshme dhe një angazhim të dukshëm të të rinjve, të cilët Salianji i kishte vendosur në qendër të komunikimit dhe organizimit politik.
Gjatë kësaj periudhe, Salianji kishte ndërtuar një raport të drejtpërdrejtë me anëtarësinë, duke u fokusuar te riorganizimi i strukturave lokale, aktivizimi i të rinjve dhe rikthimi i energjisë opozitare në terren. Pikërisht ky profil aktiv dhe takimet e shpeshta “ballë për ballë” me bazën janë parë nga disa brenda PD-së si burim përplasjesh me lidershipin aktual.
Largimi i tij nga drejtimi politik i Njësisë 6 ndodh në një kohë kur Partia Demokratike përballet jo vetëm me sfidën e organizimit të protestës së 22 dhjetorit, por edhe me tensione të brendshme lidhur me mënyrën e funksionimit të partisë dhe raportin mes lidershipit dhe anëtarësisë.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Ervin Salianji lidhur me këtë vendim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje do të ndikojë në mobilizimin e strukturave në Tiranë dhe pjesëmarrjen në protestën e paralajmëruar të opozitës.