3 mln euro shishe vere pa pullë fiskale! Çfarë gjeti BKH në shtëpinë e Ergys Agasit

Detaje të reja kanë dalë nga aksioni i zhvilluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për aferën e dyshuar të manipulimit të tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Kontrollet janë ushtruar në banesat e disa zyrtarëve dhe biznesmenëve të përfshirë në hetim.

Burime bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e biznesmenit Ergys Agasi, aktualisht në kërkim, agjentët e BKH kanë konstatuar dhe sekuestruar dhjetëra shishe vere pa pullë fiskale, me një vlerë të përllogaritur rreth 3 milionë euro. Sipas të njëjtave burime, shishet ishin verëra të rralla dhe të vjetruara, nga 70 deri në 100 vjet, ku vlera e një shisheje varionte nga 7 deri në 10 mijë euro.

Menjëherë pas konstatimit, hetuesit kanë njoftuar prokurorin e çështjes, i cili ka urdhëruar sekuestrimin e koleksionit. Paralelisht, është vënë në dijeni edhe Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e shisheve për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie të detyrimeve tatimore.

Burime për Vna.al bëjnë me dije se koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme për të përcaktuar burimin e ligjshëm të pasurisë dhe lidhjen e mundshme me aktivitetin kriminal të dyshuar.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Ergys Agasin, i cili akuzohet për manipulimin e tenderëve të AKSHI-së. Sipas hetimeve, Agasi dyshohet se në bashkëpunim me Ermail Beqirin dhe me ndihmën e disa efektivëve të policisë, ka marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, një nga përfituesit kryesorë të tenderëve të AKSHI-së, duke e shantazhuar për disa orë me radhë me qëllim detyrimin e tij për t’u tërhequr nga garat publike.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po thellon verifikimet për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar kriminale dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë çështje.