Luftë e hapur në PD/ Salianji përgjigjet pas akuzave dhe kërcënimeve të Sali Berishës: “Nuk do ndalem!”

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar publikisht ndaj akuzave të bëra nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, se takimi i zhvilluar në Elbasan me demokratët është organizuar me ndihmën e Suel Çelës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji i ka cilësuar këto akuza si të pavërteta dhe dëshmi të asaj që ai e quan “mjerim politik”, duke theksuar se Suel Çelën e ka denoncuar prej vitesh dhe se nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim me krimin.

Sipas Salianjit, drejtuesit e Partisë Demokratike, në vend që të japin llogari për humbjet dhe situatën e partisë, po tentojnë të zhvendosin vëmendjen duke përbaltur demokratët që mendojnë ndryshe. Ai thekson se takimi në Elbasan është zhvilluar me pjesëmarrjen e strukturave të partisë dhe demokratëve të zhgënjyer, pa asnjë ndikim apo mbështetje kriminale.

“Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare se unë paskam bashkëpunuar me njerëz që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë dëshmi e mjerimit politik”, shkruan Salianji.

Ai shprehet se përballja e tij politike është ndalur vetëm përmes akuzave të fabrikuara, duke kujtuar se, sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të betejës së tij kundër grupeve mafioze. “E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara. Në garë dhe me garë unë i mund”, thekson Salianji.

Në reagimin e tij, ish-deputeti demokrat nënvizon se Partia Demokratike ka nevojë për reflektim dhe zgjidhje reale, duke renditur një sërë problematikash si humbjet e njëpasnjëshme, mosmbajtja e fjalës, promovimi i humbësve serialë dhe pamundësia për ta bërë opozitën fituese. Ai shton se drejtuesit që duhet të japin llogari, sipas tij, po bëjnë të kundërtën.

“Drejtuesit që duhet të japin llogari, kërkojnë llogari dhe përbaltin demokratët”, shprehet Salianji, duke shtuar se kjo sjellje po e dëmton rëndë kartën morale të opozitës.

Salianji thekson se nuk do të ndalet së takuari demokratët në gjithë vendin dhe se do të vazhdojë takimet ballë për ballë, duke e konsideruar këtë si detyrim politik dhe moral. “Kam vazhduar dhe do të vazhdoj në rrugën e duhur: takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën, pa ndalim”, deklaron ai.

Në fund, ish-deputeti i PD-së shprehet i bindur se opozita dhe demokratët meritojnë rotacion politik dhe se beteja e tij do të vijojë pavarësisht presioneve dhe akuzave. “Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion”, përfundon Salianji.