Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në Sarandë, ku një konflikt mes dy nxënësve ka përfunduar me plagosje me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 10:00, dy të mitur, një 13-vjeçar dhe një 15-vjeçar, janë përfshirë fillimisht në një debat për motive të dobëta. Burime bëjnë me dije se konflikti ka nisur për shkak të një rruge të zënë në oborrin e shkollës dhe më pas ka degraduar në përleshje fizike.
Raportohet se 13-vjeçari, me inicialet E.G., ka nxjerrë një mjet prerës nga çanta e shkollës dhe ka goditur 15-vjeçarin, duke e plagosur në zonën e qafës. Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar menjëherë nga ambientet e shkollës dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku mjekët kanë konfirmuar se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka marrë plagë të konsiderueshme.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po punohet për kapjen e 13-vjeçarit të përfshirë në incident.
Ngjarja vjen në një periudhë alarmante, ku brenda pak javësh janë shënuar disa raste të dhunës mes adoleshentëve, disa prej tyre me pasoja tragjike. Më 25 nëntor, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, një 14-vjeçar goditi me thikë 15-vjeçarin Erjon Boba, i cili humbi jetën në spital pas 10 ditësh. Një tjetër incident u regjistrua në Shkodër, pranë gjimnazit “Shejnaze Juka”, ku tre të mitur mbetën të plagosur pas një sherri masiv me sende të forta dhe mjete prerëse.
Këto episode po ngrenë shqetësime serioze për sigurinë e nxënësve në dhe jashtë ambienteve shkollore, ndërsa futja e thikave dhe sendeve të forta në shkolla mbetet një problem i mprehtë. Autoritetet dhe ekspertët theksojnë se konfliktet mes adoleshentëve shpesh nisin për motive banale, që nga debatet në rrjetet sociale deri te përplasjet për dominim dhe imponim force.