Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e pjesëmarrjes fizike të kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen ku pritej të diskutohej dhe miratohej buxheti për vitin 2026.
Kërkesa ishte paraqitur me shkrim dhe ishte firmosur nga 30 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të cilët argumentonin se prania e kryebashkiakut ishte e nevojshme për shqyrtimin e një prej dokumenteve më të rëndësishme financiare të pushtetit vendor. Megjithatë, SPAK i është përgjigjur negativisht kësaj kërkese, duke u mbështetur në kuadrin ligjor në fuqi.
Në vendimin e datës 17 dhjetor 2025, të firmosur nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, theksohet se kërkesa për lejim të përkohshëm të pjesëmarrjes së Erion Veliajt është trajtuar si kërkesë për “leje të veçantë” për një person të paraburgosur. SPAK sqaron se ligji nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, në nenin 73, parashikon shprehimisht rastet kur mund të jepet një leje e tillë.
Sipas këtij ligji, leja e veçantë mund të jepet vetëm në raste të sëmundjeve të rënda që rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuara me raport mjekësor, apo për ngjarje të rëndësishme familjare si vdekje, lindje ose martesë, si dhe në rastet e dhënies së provimeve nga vetë i dënuari. I njëjti rregullim konfirmohet edhe nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 209, datë 6 prill 2022, që miraton rregulloren e përgjithshme të burgjeve.
Në përgjigjen zyrtare, SPAK thekson se pjesëmarrja e një të paraburgosuri në një mbledhje institucionale, siç është ajo e Këshillit Bashkiak për buxhetin, nuk përfshihet në kategoritë e përcaktuara nga ligji për dhënien e lejes së veçantë. Për këtë arsye, kërkesa nuk përmbush kriteret ligjore dhe nuk mund të miratohet.
Në përfundim, Prokuroria e Posaçme ka vendosur të mos japë miratimin paraprak për lejimin e përkohshëm të Erion Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohej në datat 16–18 dhjetor 2025, duke njoftuar zyrtarisht kërkuesit për këtë vendim.