Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të dhënë dëshmi në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për ngjarjet e rënda të 21 janarit 2011. Meta, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim dhe është nën hetim për tre vepra penale të tjera, do të pyetet nesër nga prokurorët e SPAK.
Sipas burimeve zyrtare, ish-kreu i shtetit kishte paraqitur më 25 nëntor një kërkesë për t’u dëgjuar si dëshmitar në këtë dosje, duke shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij në zbardhjen e plotë të ngjarjeve. Pas pranimit të kësaj kërkese, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Metës i është komunikuar zyrtarisht vendimi i SPAK.
Në shkresën zyrtare, dërguar në ambientet e paraburgimit, thuhet se ditën e enjte, në orën 10:00, Policia e Burgjeve është urdhëruar të marrë masat e nevojshme për shoqërimin e Ilir Metës drejt ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku ai do të merret në pyetje nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu.
Dosja e njohur si “21 Janari” lidhet me protestën e dhunshme të organizuar nga opozita e asaj kohe, e cila u zhvillua para Kryeministrisë më 21 janar 2011. Ngjarja erdhi në një klimë të tensionuar politike, pas publikimit të një videoje komprometuese ku shfaqej Ilir Meta, në atë kohë zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, në bisedë me ish-ministrin Dritan Prifti.
Protesta përfundoi me pasojë tragjike, ku humbën jetën katër qytetarë: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Gjatë viteve që pasuan, hetimet dhe proceset gjyqësore çuan në dënimin e ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, si dhe të Agim Llupos. Megjithatë, për dy prej vrasjeve autorët ende nuk janë identifikuar, duke e lënë çështjen të hapur edhe pas më shumë se një dekade.
Hetimet aktuale po drejtohen nga SPAK, i cili ka rihapur dosjen dhe po ndjek një linjë të zgjeruar hetimore. Në këtë kuadër, janë thirrur dhe marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-presidentin Bamir Topi, si dhe funksionarë të tjerë të përfshirë në vendimmarrjen e asaj periudhe.
Dëshmia e Ilir Metës pritet të shihet si një element i rëndësishëm në përpjekjen e SPAK për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë politike dhe institucionale të ngjarjeve të 21 janarit 2011, si dhe mbi mënyrën se si janë zhvilluar dhe trajtuar hetimet në vitet pasuese.