Zbulohet skema e mashtrimit me makinat me qira/ Autorental Tirana i merrte pagesat qytetarëve dhe i bllokonte numrat kur mbërrinin më Rinas

Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një skemë mashtrimi me makina me qira, e cila dyshohet se ka prekur qindra klientë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehur në këtë çështje janë shtetasit Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj, të akuzuar si organizatorët kryesorë të mashtrimit përmes platformës fiktive “Autorental Tirana”.

Sipas organit të akuzës, Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin hapur një faqe interneti ku reklamonin automjete luksoze për dhënie me qira. Klientët, shumica prej të cilëve vinin nga jashtë vendit, kryenin pagesat e rezervimit para mbërritjes në Shqipëri, por sapo mbërrinin në aeroportin e Rinasit, kontakti me kompaninë ndërpritej dhe mjetet nuk dorëzoheshin.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal nr.71, të vitit 2024, rezultoi se dy të pandehurit përdornin një numër telefoni të regjistruar në emër të një personi të tretë, për të komunikuar me klientët. Pasi merrnin pagesat e rezervimeve, ata zhdukeshin dhe bllokonin çdo formë kontakti, duke bërë që paratë e dërguara nga klientët të mos ktheheshin më.

Në këtë skemë, Prokuroria ka evidentuar edhe rolin e M.P., e cila rezulton të ketë qenë punonjëse pranë subjektit “F.K” PF. Sipas akuzës, ajo ka siguruar numrin celular të përdorur nga Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj, duke e regjistruar në emër të një personi tjetër që nuk kishte dijeni për përdorimin e tij.

Po ashtu, i pandehur është marrë edhe A.K., administrator i subjektit “ERGI-2012”, kompani me aktivitet, ndër të tjera, transferimin e parave. Sipas Prokurorisë, A.K. ka firmosur formularët e tërheqjes së shumave monetare në cilësinë e “marrësit”, duke tërhequr para në emër të Arsid Kurtajt, të dërguara nga klientë të ndryshëm për rezervimin e mjeteve me qira.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër njoftoi se Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj janë dërguar për gjykim për veprën penale “Mashtrimi”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 143, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Ndërkohë, M.P. dhe A.K. akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, sipas nenit 190 të Kodit Penal, e kryer më shumë se një herë.

Rasti ishte denoncuar edhe më herët në media, ndërsa hetimet e thelluara kanë çuar në dokumentimin e plotë të skemës dhe në dërgimin e çështjes për gjykim, për të zbardhur përgjegjësitë penale të të gjithë personave të përfshirë.