Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me dosjen e rëndë të tenderave në AKSHI, ku në qendër të hetimeve të SPAK dhe BKH është përfshirë edhe biznesmeni Gerond Meçe. Ky i fundit rezulton të jetë personi që, sipas hetimeve, është marrë peng për t’u detyruar të tërhiqej nga disa procedura prokurimi në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ngjarja u bë publike pas aksionit të zhvilluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët këtë të martë zbarkuan në zonën “Kodra e Diellit”, ku ushtruan kontrolle në banesën e drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si edhe në ambiente të disa zyrtarëve dhe biznesmenëve të tjerë të lidhur me këtë institucion.
Sipas burimeve, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj dyshohet se kanë përdorur dhunë dhe pengmarrje për të detyruar Gerond Meçen të largohej nga gara për disa tendera, pasi ekzistonte rreziku që kompania e tij të shpallej fituese. Në këtë skemë dyshohet se kanë pasur rol edhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë se Gerond Meçe, përmes kompanisë së tij “Advanced Business Solutions”, ka qenë ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike. Sipas databazës antikorrupsion “Open Data Albania”, kjo kompani, e vetme ose në bashkëpunim me subjekte të tjera, ka fituar deri në vitin 2023 mbi 2.5 miliardë lekë kontrata publike nga shteti shqiptar.
Në kontratat e qeverisjes vendore, “Advanced Business Solutions” ka përfituar si kompani e vetme 13.621.600 lekë, ndërsa në bashkëpunim me JV A.B.S SHPK – INTRACOM TELECOM ALBANIA SHA ka fituar 28.850.000 lekë.
Në sektorin e ndërmarrjeve publike, kompania ka përfituar 56.388.950 lekë e vetme, 30.412.500 lekë në bashkëpunim me ALBAELETTRICA SHPK, 88.468.800 lekë me “REAL COM” sh.p.k., si dhe sërish 28.850.000 lekë me JV A.B.S SHPK – INTRACOM TELECOM ALBANIA SHA.
Vëmendje të veçantë tërheq edhe historia financiare e kompanisë. “Advanced Business Solutions” është themeluar në vitin 2002 nga Shegush Meçe, me një kapital fillestar prej vetëm 100 mijë lekësh. Në vitin 2009, një vit përpara se kompania t’i kalonte të birit, kapitali ishte rritur në 160 milionë lekë të vjetra.
Më 15 mars 2010, Shegush Meçe i dhuroi 100% të aksioneve të shoqërisë djalit të tij, Gerond Meçe, duke u larguar si ortak, ndërsa ky i fundit u bë pronari i vetëm i kompanisë. Pas këtij momenti, nis edhe rritja e fortë financiare e “Advanced Business Solutions”, e cila nga viti 2010 deri në vitin 2025 ka rritur kapitalin nga rreth 100 milionë lekë të vjetra në 10 miliardë lekë të vjetra.
Ndërkohë, hetimet e SPAK po vijojnë për rolin e Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit, Ermal Beqirajt, si edhe për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve të tjerë dhe efektivëve të Policisë së Shtetit në këtë skemë të dyshuar kriminale që lidhet me tenderat në AKSHI.