Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ashpërsuar tonet ndaj lidershipit të selisë blu gjatë takimit të tretë të “Foltores”, të zhvilluar pasditen e sotme me anëtarë të Degës së PD-së në Elbasan. Në një sallë të mbushur me demokratë, Salianji kritikoi mënyrën se si, sipas tij, funksionojnë organet drejtuese të partisë dhe akuzoi Kryesinë se është shndërruar në një “gjykatë” për zërat kritikë.
“Mbledhja e fundit e Kryesisë së Partisë Demokratike ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju, dhe vetëm 15 minuta gjyq për Ramën dhe Ballukun”, u shpreh Salianji, duke shtuar se energjia e partisë po shpenzohet për përplasje të brendshme, në vend që të përqendrohet te aksioni opozitar kundër qeverisë.
Sipas tij, mbledhjet e strukturave të larta të PD-së nuk shërbejnë më si hapësira për ide dhe propozime, por si seanca ndëshkuese ndaj demokratëve që mendojnë ndryshe nga drejtuesit.
“Organet e partisë janë kthyer në gjykata për ata që ngrenë zërin, jo në tryeza ku diskutohet se si largohet Edi Rama nga pushteti”, tha Salianji para anëtarësisë.
Megjithatë, krahas kritikave të forta ndaj Kryesisë, ish-deputeti u ndal edhe te protesta e paralajmëruar nga Sali Berisha më 22 dhjetor, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
“Në datën 22 dhjetor, e gjithë energjia e kësaj salle dhe e sallave në çdo cep të Shqipërisë duhet të përplaset para mureve të Kryeministrisë”, deklaroi ai, duke theksuar se beteja kryesore mbetet përballja me qeverinë.
Takimi në Elbasan vjen pas një përplasjeje të fortë në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD-së, të mbajtur më 13 dhjetor. Burime nga ajo mbledhje bëjnë me dije se kryetari Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, patën debate të ashpra me Salianjin, duke e akuzuar se “Foltorja” që ai po organizon i shërben interesave të kryeministrit Edi Rama.
Debati më i fortë, sipas burimeve, ka qenë mes Salianjit dhe Flamur Nokës. Noka e akuzoi ish-deputetin se po bashkëpunon me eksponentë të botës së krimit, konkretisht me Suel Çelën, për organizimin e takimit në Elbasan. Nga ana tjetër, Salianji kërkoi dorëheqjen e Nokës nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm, duke e akuzuar për “shkatërrimin e Partisë Demokratike”.
Takimi i sotëm në Teatrin “Skampa” ishte i treti në radhë në kuadër të “Foltores” së Salianjit, pas atyre të mbajtura në Durrës dhe Gjirokastër. Edhe këtë herë, aktiviteti mblodhi një numër të konsiderueshëm demokratësh të Degës së Elbasanit, të cilët shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj drejtimit aktual të partisë dhe mbështetën thirrjet për ndryshim brenda PD-së.