Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar pas aksionit të zhvilluar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke bërë publike akuzat që rëndojnë mbi drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe shtatë persona të tjerë.
Sipas SPAK, Mirlinda Karçanaj dyshohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, vepër e kryer në bashkëpunim, si edhe për “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Në total, nën hetim janë tetë shtetas, ndaj të cilëve janë vendosur masa të ndryshme sigurie.
Në njoftimin zyrtar thuhet se “shtetasit e dyshuar, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke përcaktuar kritere specifike jo të parashikuara nga ligji, me qëllim favorizimin e disa kompanive në procedurat e tenderimit”. SPAK thekson se këto veprime kanë cenuar drejtpërdrejt parimin e konkurrencës së ndershme.
Prokuroria sqaron gjithashtu se në kuadër të kësaj veprimtarie janë konsumuar edhe elementë të veprës penale “konkurrencë e paligjshme përmes dhunës”, ku përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera janë detyruar të heqin dorë nga ankimet. “Kësisoj u është hapur rruga kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte ndryshimin e renditjes së fituesve”, thuhet në njoftim.
Sa i përket masave të sigurisë, SPAK bën me dije se katër persona, përfshirë edhe Mirlinda Karçanaj, janë lënë në masën “arrest shtëpie”. Për një tjetër person është vendosur “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, ndërsa tre shtetas të tjerë janë ndaluar të dalin jashtë vendit. Ndërkohë, për dy persona është vendosur masa “arrest në burg”, por këto masa ende nuk janë ekzekutuar.
Në njoftimin e saj, Prokuroria e Posaçme thekson se hetimet nuk janë mbyllur dhe se “po vijon puna për zbulimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e subjekteve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme”.
SPAK nënvizon se çështja lidhet me dyshime serioze për abuzime me tendera publikë, përdorim të strukturave kriminale dhe pastrim të produkteve të veprës penale, duke e cilësuar dosjen si një hetim me rëndësi të veçantë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.