U zunë me thika pranë një shkolle në Shkodër, gjykata liron 7 të rinjtë e përfshirë

Screenshot

Gjykata e Shkodrës ka vendosur lirimin e shtatë të rinjve të ndaluar pas një sherri të dhunshëm pranë një shkolle në lagjen Xhabije. Mes tyre janë edhe dy të rriturit, Klevin Thepi, 24 vjeç, dhe Doronesto Kulla, 19 vjeç, të cilët fillimisht u dërguan në paraburgim, ndërsa pesë të tjerët, të mitur, u proceduan në gjendje të lirë.

Të hënën, të gjithë u paraqitën para trupit gjykues, ku u njohën me akuzat. Në përfundim, gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për personat e përfshirë. Avokati mbrojtës i dy prej të miturve e cilësoi arrestimin si të paligjshëm.

Ngjarja ndodhi ditën e premte në ambientet e jashtme të shkollës, ku, sipas Policisë së Shkodrës, gjatë konfliktit u përdorën mjete të forta dhe mjete prerëse. Si pasojë, tre të rinj përfunduan në spital me plagë të shumta, por jashtë rrezikut për jetën. Hetimet për ngjarjen vijojnë.