Regjisori i njohur amerikan Rob Reiner, 78 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Michele Singer, 68 vjeçe, janë gjetur të pajetë në vilën e tyre në zonën Brentwood të Los Angeles-it, mbrëmjen e djeshme. Mediat amerikane raportojnë se trupat e viktimave kishin plagë të shkaktuara nga mjet prerës, ndërsa autoritetet dyshojnë se vrasja mund të jetë kryer nga i biri i tyre, Nick.
Çifti u gjet rreth orës 15:30 sipas orës lokale. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës, por mjekët mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e tyre. Sipas burimeve policore, dera kryesore e banesës nuk tregonte shenja hyrjeje me forcë, çka ka forcuar dyshimet se autori mund të ketë qenë një person i afërt.
Hetimet janë ende në fazë paraprake dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera zyrtare lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Rob Reiner e nisi karrierën e tij në vitet ’60 dhe u bë i famshëm në vitet ’70 me rolin e “Meathead” në serialin legjendar All in the Family, rol që i solli dy çmime Emmy. Më pas, ai u afirmua si një nga regjisorët më të suksesshëm të Hollivudit, duke firmosur filma ikonikë si Stand By Me, The Princess Bride dhe When Harry Met Sally….
Gjatë xhirimeve të filmit When Harry Met Sally…, Reiner njohu Michele Singer, fotografe profesioniste, me të cilën u martua në vitin 1989. Marrëdhënia e tyre ndikoi edhe në fundin e filmit, pasi Reiner vendosi që personazhet kryesore të përfundonin bashkë, i frymëzuar nga historia e tij personale e dashurisë.
Çifti kishte tre fëmijë: Jake, Nick dhe Romy. Rob Reiner kishte gjithashtu një vajzë tjetër, Tracy, nga martesa e tij e parë me regjisoren Penny Marshall.