Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në zonën e Llogarasë, ku një person është gjetur i pajetë, i djegur brenda automjetit të tij. Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, dyshohet se viktima ka mbyllur makinën nga brenda dhe i ka vënë flakën vetes.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktima dyshohet të jetë nga Berati, ndërsa identiteti i tij nuk është konfirmuar ende.
Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen, duke njoftuar se strukturat policore janë angazhuar menjëherë pas marrjes së sinjalizimit dhe se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
“Sot, rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur ‘Qafa e Llogarasë’, ku është konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit, në sediljen e drejtuesit, dyshohet se si pasojë e zjarrit ka humbur jetën një shtetas ende i paidentifikuar,” njofton Policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin e viktimës, si dhe për sqarimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.