“Ika nga PD kur Berisha më quajti ‘Nora e Kelmendit’”/ Grida Duma: Gabimet e lidershipit falen, ato të anëtarësisë ndëshkohen

Moderatorja dhe drejtuesja e emisionit Top Story, Grida Duma, ka komentuar ashpër zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke u ndalur te qëndrimi i lidershipit pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe përplasjet me anëtarësinë. Në një mesazh video, Duma thekson standardet e dyfishta brenda PD-së, ku sipas saj, gabimet e drejtuesve justifikohen, ndërsa anëtarët ndëshkohen.

“Del Sali Berisha dhe thotë ‘ia dhamë firmat Endri Shabanit se na mbështeti për Florian Binajn’. Pastaj del një deklaratë tjetër dhe Sajmir Korreshi thotë ‘na tha Flamur Noka firmosni të gjithë se kur të vijë votimi do ta zgjidhim’. Pastaj del Flamur Noka dhe thotë ‘thuaj një çik asaj se nuk e di si ma merr’… dhe në fund del Sali Berisha dhe thotë ‘bëjmë edhe ne gabime’”, shprehet Duma.

Ajo ngre pyetjen se pse këto gabime konsiderohen të falshme kur vijnë nga maja e partisë.

“Si ka mundësi që gabimet e kreut janë gjithmonë të falshme, ndërsa gabimet e anëtarësisë kthehen në ndëshkim?”, pyet Duma, duke sjellë si shembull debatin e ndodhur në Kamëz mes Flamur Nokës dhe një anëtareje të PD-së, e cila sipas saj ka 13 vite në opozitë. 

“Si ndodh që shkon Sekretari i Përgjithshëm, i bërtet një zonje që ka 13 vjet në opozitë, i thotë ‘dil jashtë’, del video dhe çuditet gjithë Shqipëria, dhe pastaj faji i mbetet asaj pse doli në media? Shkojnë si servilë kur duan votën dhe pastaj, një burrë në atë moshë, i thotë një gruaje ‘dil jashtë’. Kjo është sjellje ndaj aksionerëve të partisë?”

Duma kritikon edhe mbrojtjen që Berisha i bën Flamur Nokës:

“Del Berisha dhe thotë ‘gabim ajo gruaja që doli në media’. Po ku të shkojë ajo? Nga grupi i WhatsApp-it e nxorën, nuk e takon njeri. I ka mbetur vetëm mikrofoni për të folur”.

Në një rrëfim personal, Grida Duma sqaroi edhe arsyet e largimit të saj nga Partia Demokratike. Ajo thotë se nuk u largua për arsye personale apo pakënaqësi politike, por pas një deklarate të Sali Berishës.

“Unë nuk ika nga PD-ja se isha keq. Ika në nëntor 2022, pasi në tetor Berisha deklaroi për mua ‘është Nora e Kelmendit’. Pse e bëri këtë? Sepse dola në Parlament dhe fola. Ku ishin këta burrat që duhet të flisnin atëherë?”

Ajo e mbyll reagimin me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj lidershipit:

“Lidershipi falet pa fund, ndërsa anëtarësia ndëshkohet. Dhe pastaj çuditen pse partia është në paqartësi absolute dhe pëson gola nga të gjitha anët”.