Detaje të reja nga tragjedia në Llogara/ Viktima ish-efektiv policie, familjarët: “Vuante nga depresioni”

Gazetarja Xhensila Kodra ka zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Qafën e Llogarasë, ku një automjet u përfshi nga flakët dhe brenda tij humbi jetën një person.

Viktima është identifikuar si Artjol Xhelo, 32 vjeç, ish-efektiv i Policisë së Shtetit. Ai ishte nga Ura Vajgurore dhe rezulton se në vitin 2023 ishte larguar nga radhët e policisë me dorëheqje.

Sipas informacioneve të siguruara nga familjarët, 32-vjeçari vuante prej kohësh nga depresioni. Para se të largohej nga banesa, ai u kishte thënë të afërmve:

“Nëse nuk gjej punë, nuk kthehem më sot në shtëpi.”

Dyshimet paraprake flasin se Artjol Xhelo ka mbyllur automjetin nga brenda dhe më pas i ka vënë flakën, duke humbur jetën në sediljen e drejtuesit të mjetit. Ngjarja u konstatua pasditen e djeshme, kur shërbimet e policisë dhe zjarrfikëses ndërhynë në zonë, por nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa priten edhe konkluzionet zyrtare të ekspertizës, të cilat do të përcaktojnë shkakun përfundimtar të vdekjes.