Paraguaji ngre alarmin: Rrjeti i Çopjave depërton në vend, 28 ton kokainë dhe lidhjet e vëllezërve Çela

Paraguaji ka ngritur alarmin për shtrirjen e grupeve kriminale shqiptare në territorin e tij, duke i lidhur ato me të ashtuquajturën “Mafia e Ballkanit”. Paralajmërimi u bë nga drejtori i Emigracionit, Jorge Kronawetter, i cili tha se disa prej anëtarëve janë kapur duke tentuar të hyjnë në vend përmes Bolivisë, duke përdorur pasaporta argjentinase për t’iu shmangur kontrolleve.

Sipas mediave vendase, klani Çopja ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë aktivitet kriminal. Dy vëllezër shqiptarë, Ervis dhe Ardian Çela, të vendosur në Paraguaj, mbanin kontaktet dhe menaxhonin logjistikën e trafikut: marrjen e kokainës nga prodhuesit bolivianë, magazinimin dhe përgatitjen e saj për transport drejt Evropës.

Zbulimet u bënë publike gjatë takimit të parë rajonal të Rrjetit Atenas, pjesë e programit Eurofront të BE-së. Autoritetet thanë se anëtarët e mafias përdornin identitete argjentinase për të kaluar kufijtë lirshëm dhe se janë evidentuar persona të lidhur edhe me financimin e terrorizmit.

Kronawetter konfirmoi gjithashtu identifikimin e një të kërkuari në Brazil, pjesë e të njëjtit rrjet, i cili po përpiqej të hynte në Bolivi me pasaportë bullgare. Ai u ndalua dhe u dorëzua autoriteteve braziliane.

“Mafia e Ballkanit”, e formuar pas konflikteve të viteve ’90, funksionon me një strukturë të mbyllur hierarkike dhe njihet për aktivitete që përfshijnë trafik droge, armësh, njerëzish dhe pastrim parash. Hetime të fundit ndërkombëtare kanë çmontuar disa prej operacioneve kryesore që nisnin nga Amerika Latine drejt porteve evropiane.

Në qendër të këtyre operacioneve ka qenë kapoja shqiptar Franc Çopja, i arrestuar në Belgjikë në gusht 2025, i akuzuar për trafikun e rreth 28 tonëve kokainë vetëm gjatë vitit 2020. Ai kishte lidhje të drejtpërdrejta me qarqe kriminale në Paraguaj dhe frekuentonte vendin për të finalizuar blerjet e sasive të mëdha të drogës. Baza lokale e operacioneve drejtohej nga vëllezërit Çela.