Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rikthejë në detyrë Belinda Ballukun, duke pezulluar vendimet e GJKKO-së që e kishin larguar përkohësisht nga posti në kuadër të hetimeve për aferën e 210 milionë eurove. Me këtë vendim, Balluku rikthehet menjëherë si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kërkesa u paraqit nga kryeministri Edi Rama, i cili argumentoi se Gjykata e Posaçme kishte tejkaluar kompetencat duke vendosur pezullimin e një anëtareje të Këshillit të Ministrave, duke cenuar imunitetin e saj si deputete dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Kushtetuesja, pasi shqyrtoi çështjen në mbledhjen e gjyqtarëve, pranoi pjesërisht argumentimin e kreut të qeverisë dhe vendosi të pezullojë efektet e vendimeve nr. 118 dhe nr. 120 të GJKKO-së deri në përfundimin e gjykimit.
Gjykata theksoi se bëhet fjalë për një konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, ndaj çështja do të trajtohet në një seancë plenare publike më 22 janar 2026. Për këtë seancë janë thirrur si palë të interesuara SPAK, GJKKO, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës. Ndërkohë, kërkesat e dy subjekteve të tjera për t’u përfshirë në proces si palë ndërhyrëse u rrëzuan, pasi nuk justifikonin interes kushtetues.
Vendimi i pezullimit do të publikohet në Fletoren Zyrtare dhe mbetet në fuqi deri në përfundimin e shqyrtimit, duke i hapur rrugë rikthimit të menjëhershëm të Belinda Ballukut në detyrat e saj qeveritare.