Elda Hoti distancohet nga vota për Shabanin: “Ishte gabim, u kërkoj falje demokratëve”

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka pranuar publikisht se firma e saj për kandidimin e Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit ka qenë një gabim, duke kërkuar ndjesë të sinqertë ndaj çdo demokrati dhe mbështetësi të opozitës.

Hoti sqaron se firmat u kërkuan vetëm për t’i krijuar mundësinë kandidatit të dëgjohej në Komisionin e Ligjeve, por më pas – sipas saj – ato u keqpërdorën nga mazhoranca për të miratuar kandidaturën e Shabanit.

“Ndjesë të sinqertë demokratëve, opozitarëve dhe mbështetësve tanë për një firmë të dhënë vetëm për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, një firmë që më pas u keqpërdor nga Edi Rama dhe Taulant Balla për të miratuar kandidaturën ilegjitime të Endri Shabanit”, shkroi Hoti.

Ajo thekson se, pavarësisht faktit që firmat u tërhoqën zyrtarisht, mazhoranca vijoi me miratimin e kandidaturës në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet demokratike. Sidoqoftë, deputetja nënvizon se nuk dëshiron të shmangë përgjegjësinë personale.

“Ky mbetet një gabim, për të cilin kërkoj një ndjesë të sinqertë çdo demokrati dhe çdo qytetari shqiptar”, përmbylli ajo.

Endri Shabani u propozua nga 35 deputetë të PD-së dhe u zgjodh Avokat i Popullit vetëm me votat e socialistëve, pasi demokratët u tërhoqën nga firmat në një fazë kur procedura kishte avancuar tashmë.