Protestat rrëzojnë qeverinë në Bullgari/ Kryeministri jep dorëheqjen

Kryeministri bullgar, Rossen Zhelyazkov, deklaroi më 11 dhjetor se qeveria e tij do të japë dorëheqjen, vetëm një ditë pasi dhjetëra mijëra qytetarë protestuan në qytete të ndryshme të vendit duke kërkuar largimin e kabinetit.

Qeveria e Zhelyazkovit pritej të përballej po atë ditë me mocionin e gjashtë të mosbesimit, të paraqitur nga koalicioni opozitar “Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”, me mbështetjen e dy partive të pakicës në opozitë. Votimi ishte planifikuar për në orën 13:30, por seanca u pengua nga mungesa e deputetëve të shumicës qeverisëse GERB-UDF, përfshirë liderin Boiko Borissov. Në seancë munguan gjithashtu edhe deputetët e partive të pakicës në qeveri: Partia Socialiste Bullgare, E Majta e Bashkuar dhe partia populiste ITN.

Ky mocion ishte i gjashti radhazi ndaj qeverisë Zhelyazkov brenda disa muajve.

  • Mocioni i parë, i paraqitur në prill nga Vuzrazhdane, kishte në fokus politikën e jashtme.
  • Mocioni i dytë, i paraqitur po gjatë prillit nga Mech, lidhej me akuzat për korrupsion.
  • Mocioni i tretë, i rrëzuar më 4 korrik, u paraqit nga Vuzrazhdane, Mech dhe Veliche, duke e akuzuar qeverinë për dështime në politikën fiskale.
  • Mocioni i katërt, i hedhur poshtë më 11 korrik, u paraqit nga Velichie me mbështetjen e Mech dhe Vuzrazhdane, me argumentin se politikat mjedisore të qeverisë ishin të dështuara.

Pas presionit politik në rritje dhe protestave të mëdha publike, Zhelyazkov njoftoi se qeveria do të dorëhiqet, duke hapur rrugën për zhvillime të reja në skenën politike të Bullgarisë.