Prokurori Klodian Braho, i cili u zgjodh sot në krye të SPAK, ishte kandidati i fundit që u intervistua nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjatë dëgjimit, ai foli hapur për kufizimet që sjell puna si prokuror i Krimeve të Rënda dhe më pas i Prokurorisë së Posaçme.
Braho u shpreh se puna në këto struktura e ndryshon tërësisht mënyrën e jetesës:
“Për shkak të funksionit, sidomos që nga Krimet e Rënda e deri tani, sjellja ka ndryshuar. Prokurorët nuk mund të bëjnë një jetë normale si gjithë të tjerët. Nuk them se rrimë mbyllur, por ka disa kufizime që duhet t’i respektojmë.”
Ai zbuloi se edhe për situata të thjeshta të jetës së përditshme, si dalja në një lokal, duhet të kenë kujdes të shtuar:
“Edhe kur shkojmë në një lokal, kontrollojmë në QKB se kush e ka. E them shumë sinqerisht këtë pjesë. Patjetër që këto kufizime ekzistojnë në të gjitha vendet e qytetëruara.”
Megjithatë, Braho nënvizoi se nuk e sheh veten si viktimë të profesionit:
“Përpiqem të mos e ndryshoj mënyrën time të jetesës, sepse përndryshe presioni apo ngarkesa do kthehej në diçka negative. Mundohem ta mbaj punën larg shtëpisë dhe të ruaj rutinën e përditshme, gjithmonë brenda kufizimeve të domosdoshme. E kemi zgjedhur vetë këtë punë, nuk na ka sjellë askush me zor.”
Deklaratat e tij erdhën gjatë intervistimit të kandidatëve për drejtimin e SPAK, proces që u finalizua me zgjedhjen e Brahos si kreu i ri i institucionit.