“Hiq dorë!”/ Gazetari Osman Stafa kërcënohet me jetë pas denoncimeve për Spitalin Onkologjik

Gazetari investigativ Osman Stafa është kërcënuar me jetë pas raportimeve të tij të vazhdueshme mbi mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve të domosdoshme në Spitalin Onkologjik. Përmes një adrese anonime në rrjetet sociale, atij i është dërguar një mesazh me gjuhë fyese dhe kërcënuese, që synon ta frikësojë dhe ta detyrojë të heqë dorë nga investigimet për korrupsionin dhe abuzimet ndaj pacientëve.

Pas marrjes së kërcënimit, gazetari i News24 është paraqitur në Policinë e Shtetit, ku ka bërë kallëzim penal për “kërcënim për shkak të detyrës”. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e burimit të kërcënimit.

Pavarësisht presioneve, Stafa deklaron se nuk do të tërhiqet:

“Nuk i frikësohem asnjë lloj kërcënimi. Denoncimet do të vazhdojnë, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish.”

Gazetari ka vite që investigon gjendjen e rënduar të pacientëve në Onkologjik. Ndër denoncimet kryesore të tij janë mungesa e brakiterapisë për gratë me kancer gjinekologjik, mungesa e PET-scan, një aparat kyç për diagnostikimin e sëmundjeve tumorale, mungesa e medikamenteve kimio për pacientët dhe rastet e korrupsionit dhe abuzimit, përfshirë trafikimin e biopsive nga publiku drejt klinikave private.

Investigimet e Stafës kanë nxjerrë në pah problematika të thella në shërbimin onkologjik, me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e pacientëve. Ndërkohë, pritet që organet ligjzbatuese të zbardhin plotësisht kërcënimin dhe të vënë përpara përgjegjësisë autorin.