Turistët nga 42 vende do të duhet të dorëzojnë 5 vite histori të rrjeteve sociale për të hyrë në SHBA

Administrata Trump po propozon t’u kërkojë vizitorëve nga dhjetëra vende që gëzojnë udhëtim pa vizë drejt SHBA-së të dorëzojnë informacione shtesë personale para hyrjes në vend, përfshirë historikun e tyre të rrjeteve sociale për pesë vitet e fundit, bëri të ditur këtë javë Departamenti i Sigurisë Kombëtare në një njoftim zyrtar.

Qytetarët e 42 vendeve që janë pjesë e programit të heqjes së vizave mund të udhëtojnë zakonisht në SHBA për deri në 90 ditë për turizëm ose biznes, pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë në një ambasadë ose konsullatë amerikane, një proces që shpesh zgjat muaj apo vite.

Lista e vendeve të përfshira në programin e heqjes së vizave përfshin shumë shtete evropiane si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca, si edhe aleatë të tjerë të SHBA-së si Australia, Izraeli, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut.

Megjithëse qytetarët e këtyre vendeve nuk kanë nevojë për vizë, ata duhet të plotësojnë një aplikim online përmes sistemit ESTA (Electronic System for Travel Authorization) përpara hyrjes në vend. Ky sistem verifikon nëse aplikuesit plotësojnë kriteret për udhëtim pa vizë dhe siguron që ata të mos paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Administrata Trump po propozon ta ristrukturojë sistemin ESTA, duke e kthyer kryesisht në një proces që kryhet vetëm përmes celularit. Plani do të kërkojë që aplikantët të japin informacion shtesë rreth vetes dhe familjarëve të tyre, sipas një njoftimi të publikuar në regjistrin zyrtar të qeverisë nga Shërbimi Doganor dhe Kufitar (CBP), një degë e DHS.

Sipas njoftimit, CBP synon t’u kërkojë udhëtarëve pa vizë të dorëzojnë historikun e rrjeteve sociale për pesë vitet e fundit, adresat e email-it të përdorura gjatë 10 viteve të fundit, si edhe të dhëna personale të anëtarëve të familjes së afërt, përfshirë numrat e telefonit dhe adresat. Dorëzimi i historikut të rrjeteve sociale për 5 vitet e fundit do të jetë një kërkesë e detyrueshme sipas propozimit.

CBP tha se ndryshimet, të cilat ende duhet të rishikohen nga zyra e Buxhetit e Shtëpisë së Bardhë, synojnë të zbatojnë një urdhër ekzekutiv të presidentit Trump, i cili ka si objektiv të pengojë hyrjen e të huajve që mund të paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike.