SPAK ka zhvilluar sot një operacion të gjerë në Fushë-Krujë, duke shkatërruar një grup kriminal të dyshuar për trafik narkotikësh dhe veprimtari të organizuar brenda dhe jashtë vendit. Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, deklaroi në emisionin “Now” se tre prej anëtarëve të grupit kanë arritur të largohen drejt Dubait pak para operacionit.
Sipas Karamuços, janë lëshuar 13 urdhra arresti, prej të cilëve 10 janë ekzekutuar. Ai theksoi se aktiviteti i grupit ishte i shtrirë në disa shtete të Evropës dhe kishte lidhje me rrjete kriminale deri në Amerikën Latine. Hetimet janë koordinuar me Turqinë, Malin e Zi dhe vende të tjera, falë informacionit të siguruar nga komunikimet e përgjuara në platformën SkyECC.
“SPAK doli me deklaratë zyrtare. Forcat speciale kishin nisur lëvizjet në 24 orët e fundit, çka tregonte se po përgatitej një operacion i madh. Sot ai u finalizua me 13 urdhra arresti; tre persona dyshohet se janë larguar drejt Dubait, ndërsa 10 masa janë ekzekutuar,” u shpreh Karamuço.
Ai shtoi se zona e Fushë-Krujës dhe Malësisë së Krujës ka qenë prej kohësh në fokus, për shkak të vrasjeve me pagesë dhe kultivimit të kanabisit. Sipas tij, grupi i goditur është pjesë e “gjeneratës së dytë” të organizimit kriminal, më i sofistikuar dhe me lidhje ndërkombëtare.
Të arrestuarit dhe personat në kërkim
Gjatë operacionit u arrestuan:
- Marvin Bushati
- Agim Nina, i njohur edhe si Lorenc Selmani
- Sokol Qaja
- Zamir Aliaj
- Tre anëtarë të fisit Rraja: Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja (ky i fundit, djali i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja; dy të tjerët kushërinjtë e tij)
Ndërkohë, të arrestuar më herët dhe tashmë të ndodhur në burg — Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo — janë njoftuar me masat e reja të arrestit.
Në kërkim vazhdojnë të jenë:
- Ervis Shuli
- Bujar Sefa
- Hajdar Sefa
- Vildan Baroku
Këta persona dyshohet se kanë dalë jashtë vendit përpara finalizimit të operacionit.