Qindra kg kokainë e trafikuar nga Shqipëria, mbi 400 mijë euro të sekuestruara. Mes të arrestuarve edhe Rexhep Rraja/ SPAK zbardh detajet e super operacionit

Prokuroria e Posaçme ka publikuar njoftimin zyrtar për operacionin e koduar “Rikthimi”, i cili ka goditur një grup të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun e qindra kilogramëve kokainë dhe veprimtari të tjera të paligjshme.

SPAK bën me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për 10 persona të vënë nën hetim:

Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini (alias Aldo Iamandi), Jani Çavo, Islam Sefa (alias Islam Xaka), Agim Nina (alias Lorenc Selmani), Zamir Aliaj (alias Zamir Çoku), Sokol Qaja dhe Marvin Bushati (alias Marvin Kopliku).

Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kryen ekzekutimin e masave ndaj këtyre personave gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e të tjerëve që janë shpallur në kërkim:

Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, të cilët janë të kërkuar ose të dënuar më parë për vepra të tjera penale, si dhe Ervis Shuli, i cili ndodhet jashtë vendit.

Gjatë kontrolleve të kryera në banesa, mjete dhe ambiente të ndryshme, deri në këtë fazë të operacionit, janë sekuestruar:

  • 415.000 euro
  • 7.000 dollarë amerikanë
  • 1.000.000 lekë
  • 11 telefona celularë
  • 3 automjete (BMW X5, Range Rover, Volkswagen Golf 6)
  • 1 armë zjarri Glock me 9 fishekë
  • 1 jelek antiplumb
  • 1 palë dylbi
  • 1 orë Rolex
  • 1 DVR
  • Dokumente të ndryshme me interes hetimor

Operacioni “Rikthimi” vijon nën drejtimin e SPAK, ndërsa hetimet po zgjerojnë pistat mbi qarkullimin e lëndëve narkotike dhe pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal.