Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur kundërshtinë ndaj dy projektligjeve të paqes fiskale, të cilat parashikojnë faljen e mbi 2 miliardë eurove në detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa për bizneset debitore në vend. Sipas Dhomës, qeveria ka avancuar me nismën pa zhvilluar konsultime me komunitetin e investitorëve të huaj – një mungesë transparence që, sipas tyre, cenon besimin dhe krijon pasiguri për klimën e investimeve.
Gjatë një takimi me përfaqësues të administratës tatimore, Presidenti i Dhomës Amerikane, Neritan Mullaj, i kërkoi drejtorit të Tatimeve një shpjegim të qartë mbi mënyrën e zbatimit të paketës.
“Është thelbësore të kuptojmë se si do të implementohet. Kërkojmë një konsideratë të drejtpërdrejtë para se të vijojmë me pyetjet nga bizneset,” tha Mullaj, duke theksuar se investitorët nuk janë ftuar në asnjë diskutim paraprak.
Nga ana tjetër, drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se institucionet janë në pritje të draftit final dhe se paqja fiskale ka qenë një premtim elektoral për t’i ardhur në ndihmë bizneseve që kërkojnë të shmangin kontrollet tatimore në këmbim të shlyerjes së detyrimeve.
Në një reagim zyrtar për Top Channel, Dhoma Amerikane nënvizoi se as administrata tatimore dhe as Ministria e Financave nuk kanë realizuar konsultime publike me bizneset e huaja. Sipas tyre, nisma është avancuar pa dëgjuar sugjerimet e komunitetit të investitorëve, duke krijuar një mungesë të theksuar transparence dhe bashkëpunimi.
Përfaqësuesja e Dhomës, Alketa Uruçi, listoi një sërë problematikash të mbartura në raportet biznes–tatime, përfshirë mungesën e përgjigjeve të qarta dhe në kohë, mosfunksionimin e një sistemi elektronik për marrëveshjet tatimore, si dhe praktika administrative që bien ndesh me direktivat dhe jurisprudencën europiane.
U përmendën edhe raste konkrete, si vonesat në rimbursimin e TVSH-së, penalizimet e bizneseve të energjisë për shitje nën kosto, si dhe mungesa e transparencës në përditësimin e çështjeve gjyqësore në faqen zyrtare të Tatimeve.
Dy projektligjet – ai për shlyerjen e detyrimeve tatimore e doganore dhe ai për marrëveshjen e paqes fiskale, që u jep bizneseve mundësinë të korrigjojnë pasqyrat financiare të tre viteve të fundit, kanë marrë tashmë miratimin në komisione dhe pritet të votohen në seancën plenare të 11 dhjetorit.
Ndërkohë, Dhoma Amerikane thekson se opinionet e bizneseve ende nuk janë marrë në konsideratë, duke e cilësuar këtë mungesë dialogu si një rrezik për mbajtjen e një sistemi tatimor të balancuar dhe për nxitjen e investimeve të reja në Shqipëri.