Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg Mario Përlleshajn, i shpallur fajtor për vrasjen e Martin Canit një vit më parë. Si autori, ashtu edhe viktima ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare “Fan S. Noli” në Tiranë, një ngjarje që shkaktoi tronditje të thellë në opinionin publik.
Pas shpalljes së vendimit, avokati i familjes Cani deklaroi se drejtësia është vënë në vend, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për mbrojtjen e të miturve.
“Sot nuk flasim vetëm për dënim, por për drejtësi. Kjo çështje është një mesazh i qartë për qeverinë dhe institucionet arsimore, që kanë detyrimin të edukojnë dhe mbrojnë rininë shqiptare. Ne do të vijojmë të ndjekim çdo të drejtë ligjore të familjes Cani edhe në instancat më të larta,” u shpreh avokati.
Ai shtoi se i pandehuri është dënuar për dy vepra penale dhe se vendimi do të vlerësohet në tërësi sapo të publikohet i zbardhur.
“Sot gjykata bëri drejtësi. Është e rëndësishme të theksojmë se këto çështje të dhimbshme po trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm,” përfundoi avokati i familjes Cani.
Sakaq kujtojmë se më 17 nëntor të këtij viti, Prokuroria e Tiranës kërkoi 25 vite burg për Mario Përlleshajn, autorin 14-vjeçar të vrasjes me thikë të Martin Canit. Një vit më parë, të miturit u përfshinë në një konflikt jashtë oborrit të shkollës “Fan Noli” dhe, fatkeqësisht, Martini ndërroi jetë.
Aktualisht, Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë, ku u transferua menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 18 nëntor 2024 në kryeqytet.
Nga sherri me thika mes 14-vjeçarëve humbi jetën Martin Cani, u plagos shoku i tij, Luis Meçja, si edhe vetë autori i kësaj ngjarjeje. Në këtë ngjarje dyshohet se u përfshinë katër adoleshentë: dy nxënës të shkollës “Fan Noli” dhe dy të një shkolle në Sauk.
Ngjarja ndodhi rreth 200–300 metra larg shkollës “Fan Noli”. Katër të rinjtë u konfliktuan me njëri-tjetrin, konflikt i cili më pas agravoi deri në përdorimin e thikës. Gjithçka ka ndodhur brenda 90 sekondave, sekonda që shënuan tragjedinë me vdekjen e një të mituri.