Policia greke ka vënë në pranga gjashtë persona të akuzuar për tentativën e vrasjes së mafiozit të njohur grek, Jani Lala. Edhe pse autoritetet në Greqi nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare, detaje të reja janë bërë publike mbi operacionin dhe personat e arrestuar.
Në mesin e tyre është Dhimiter Meci, 45 vjeç, nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, i njohur me nofkën Dhimo. Ai konsiderohet në Greqi si një vrasës me pagesë, i arrestuar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, por shpeshherë i liruar në rrethana të paqarta. Bashkë me të janë arrestuar tre shqiptarë të tjerë dhe dy grekë, mes tyre një grua.
Grupi akuzohet për atentatin e 16 majit 2025, kur atentatorë të maskuar, të lëvizur me motor, qëlluan rreth 40 herë ndaj makinës së blinduar “Mercedes-Benz” të 41-vjeçarit Jani Lala në zonën e Ano Liosia në Athinë. Ai shpëtoi falë blindimit të automjetit. Lala, një emër i njohur në botën e krimit në Greqi, ishte përfshirë në hetimet për vrasjen e gazetarit Jorgo Karaivaz dhe boksierit Hari Kontogiorgi. Në muajt e fundit, ai konsiderohej i afërti më i besuar i një krimineli famëkeq ukrainas të njohur me pseudonimin Etnik, i cili jeton në Dubai.
Vetë Jani Lala rezulton i vrarë një muaj më parë në Arahova të Greqisë, ngjarje që tashmë është zbardhur nga policia greke.
Gjatë operacionit të fundit, autoritetet sekuestruan katër automatikë tip “Kallashnikov”, tre pistoleta, dhjetëra fishekë si dhe sasi kokaine.
Kush është Dhimo Meci – shqiptari i konsideruar “killeri” i disa vrasjeve në Greqi
Dhimo Meci, 45 vjeç, ka një histori të gjatë kriminale në Greqi, ku është hetuar dhe dënuar për vjedhje, grabitje, tentativë vrasje, vrasje dhe përfshirje në organizata kriminale.
- Arrestimi i parë (2004): për vrasjen e një emigranti sirian jashtë një qendre prostitucioni në Athinë.
Gjatë një leje 9-ditore nga burgu i Kasandrës, ai mori pjesë në grabitjen e një agjencie Pro-Po në Glifadha, duke marrë 65.000 euro.
Më pas u lirua me kusht, por u arrestua sërish për shkeljen e kushteve të lirimit. - Karriera kriminale pas vitit 2011:
Punoi me një bandë që kryente zhvatje në Glifadha, Haidari, Kaminia dhe Koridhalos. Bizneset paguanin 100–150 euro çdo dy javë për “mbrojtje”.
Ai dyshohet të ketë kryer disa vrasje të personazheve të botës së krimit, mes tyre:
• Panagiotis Stivas (2006)
• Ali Saeed (2008) – ekspert bombash
• Giorgos Shabbat (2008), me origjinë izraelite
• “Pitsilas” (2014) – një bashkëpunëtor që “dinte shumë” - Largimi në Shqipëri: pas një serie vrasjesh, u arratis përkohësisht në Shqipëri. Thuhet se merrte deri në 200.000 euro për një vrasje.
- Arrestimi në 2014:
U kap në zonën Sepolia në Athinë, së bashku me Klodian Lekocajn, kreun e një bande të njohur për vrasje me pagesë. Në momentin e arrestimit iu gjetën dy pistoleta. - Rasti i vitit 2012 i zbardhur në 2018:
Nga burgu i Koridhalos u identifikua si autor i vrasjes së 29-vjeçarit shqiptar Artin Kato në Peristeri. Viktimën e kishte joshur në një takim përmes Facebook, ku Meci përdorte një profil të rremë femëror me emrin “Anastasia”.
Pavarësisht akuzave të shumta dhe dosjeve të rënda kriminale, nuk është e qartë se si Meci ka arritur të fitojë sërish lirinë para se të përfshihej në atentatin e fundit.
Operacioni i fundit i policisë greke pritet të pasohet nga detaje zyrtare, ndërsa hetimet vijojnë për zbulimin e ndërlidhjeve të grupit me rrjete të tjera kriminale në Greqi dhe jashtë saj.