Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar masa sigurie ndaj 8 personave, 5 prej të cilëve zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, të akuzuar për dëmtimin e buxhetit publik përmes punimeve fiktive në procesin e demolimit të objekteve.
Hetimet lidhur me procedimin penal nr. 2505 të vitit 2021 nisën pas denoncimit të një qytetari, pallati i të cilit u shemb nga IMT pa njoftim dhe pa vendim zyrtar. Nga verifikimet u provua se në janar të vitit 2021 Bashkia Tiranë kishte shembur 6 objekte, përfshirë edhe pallatin nr. 140. Megjithatë në mars 2021 Këshilli Bashkiak miratoi fondin për “demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore” për 15 pallate – duke përfshirë edhe objektet që ishin shembur muaj më parë.
Sipas Prokurorisë, kompania fituese e tenderit për demolimin, përfaqësuar nga A.M., ka paraqitur rrethana të rreme dhe punime fiktive, duke shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të Bashkisë Tiranë. Dokumentet janë hartuar dhe nënshkruar nga sipërmarrës dhe zyrtarë që nuk kanë kryer verifikimet në terren, ndërsa disa prej tyre akuzohen për falsifikim dokumentesh në formën e rënduar, pasi kishin detyrë ligjore të lëshonin aktet përkatëse.
Nga hetimet rezulton se zyrtarët e IMT-së, S.Q. dhe R.R., kanë hartuar preventivat pa kryer kontroll real në vendngjarje. Po ashtu, drejtues të Drejtorisë së Emergjencave Civile – A.Ç., A.B. dhe E.G. – kanë nënshkruar dokumente zyrtare të pavërteta që lidhen me procesin e demolimit dhe dorëzimit të sheshit të ndërtimit.
Masat e sigurisë të caktuara nga Prokuroria:
- “Arrest në shtëpi” për A.Ç., Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile – “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim.
- “Arrest në shtëpi” për A.B., Drejtor i Drejtorisë së Emergjencave Civile – të njëjtat akuza.
- “Detyrim paraqitje” për E.G., Përgjegjëse e sektorit të Kompensimit të Fatkeqësive Natyrore – “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim.
- “Detyrim paraqitje” për R.R., specialiste e IMT-së – “Shpërdorim detyre”.
- “Arrest në shtëpi” për S.Q., specialist i IMT-së – “Shpërdorim detyre”.
- “Detyrim paraqitje” për A.M., mbikëqyrëse e punimeve të BOE “Maging shpk & Imes-D shpk” – “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim.
- “Detyrim paraqitje” për Sh.M., përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” – “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim.
- “Detyrim paraqitje” për F.F., administrator i “Arb & Trans-2000” dhe “KLAJGER Konstruksion” – “Falsifikim dokumentesh” në bashkëpunim.
Prokuroria thekson se dokumentet e pavërteta të firmosura nga zyrtarë që kishin detyrimin ligjor të lëshonin aktet për demolimet përbëjnë formën e rënduar të falsifikimit sipas nenit 186/3 të Kodit Penal.
Hetimet për këtë çështje vijojnë.
