Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin përfundimtar ndaj Mario Përlleshajt, 14-vjeçarit që vrau me thikë Martin Canin dhe plagosi shokun e tij, Luis Meçen, në ngjarjen e rëndë të 18 nëntorit 2024 pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Përlleshaj u dënua me 16 vite burg, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 25 vite.
Babai i viktimës, Ëngjell Cani, u shpreh se edhe dënimi maksimal nuk do ta zbehte dhimbjen e familjes, ndërsa theksoi se shkolla nuk ka kërkuar asnjëherë falje apo shenjë pendese.
“Ka nxjerrë një rreze drite për Martinin dhe Luizin, por dhimbja nuk krahasohet. Sikur edhe të dënohej me burg të përjetshëm! Shkolla nuk ka kërkuar as pendesë, asgjë,” u shpreh ai.
Familja Cani publikoi edhe një deklaratë ku e cilësoi vendimin “akt të drejtë dhe kurajoz”. Ata theksuan se gjykata i njohu si dy vepra penale të veçanta, vrasjen e Martinit dhe tentativën për vrasje ndaj Luisit, ashtu siç kishin kërkuar prej ditës së parë.
“Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.
Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.
Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.
Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
Ne do të vazhdojmë misionin tone me:
• Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
• Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
• Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.
Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.”
