Nëna e Leos 2-vjeçar, i cili humbi jetën pasi u sulmua nga një pit bull i adoptuar nga familja në ishullin Zakynthos, është ende në gjendje shoku. Ajo rrëfen se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash, në një moment kur qeni ishte trembur nga të shtënat dhe fishkëllimat e gjuetarëve në zonë.
“Leo ishte ëndrra e çdo nëne. Fëmija më i ëmbël që mund të imagjinoni,” tha 32-vjeçarja Robbie për Daily Mail.
“Ai ishte i veçantë dhe të gjithë e adhuronin. Edhe ata që nuk i pëlqenin fëmijët, e donin Leon.”
Robbie, e rritur në Andover, Hampshire, është e martuar me një të ri me origjinë shqiptare dhe prej vitesh jeton në Zakynthos. Ajo flet për një fëmijë të qeshur, të dashur dhe shumë të afërt me kafshët e familjes.
Sipas saj, pit bulli nuk kishte shfaqur kurrë agresivitet.
“Burri im e kishte shpëtuar qenin. Ishte i lidhur në oborr me një zinxhir dhjetë metra, pranë pyllit ku po gjuanin. Dëgjoheshin të shtëna, qenë të tjerë, fishkëllima. Mendoj se u tremb dhe reagoi nga frika,” tregon ajo.
Ajo rrëfen se Leo luante shpesh me qenin:
“Nuk kemi pasur kurrë problem me të. E linte Leon të luante, t’i përkëdhelte barkun, i lëpinte fytyrën. Asnjë shenjë agresioni.”
Por ngjarja ndodhi në pak çaste:
“Pasi hymë brenda për të rregulluar ushqimet, Leo doli për ta parë qenin. Dhe brenda 30 sekondash gjithçka kishte mbaruar. Mendojmë se e kafshoi vetëm një herë.”
Prindërit telefonuan urgjencën dhe e çuan fëmijën drejt spitalit, ku u takuan me ambulancën në rrugë.
“E morën nga krahët e mi dhe e çuan me urgjencë. Por e dija që nuk do të mund të shpëtonte. Mjekët e konfirmuan menjëherë,” thotë nëna.
Ajo ende nuk ka mundur ta shohë trupin e djalit:
“Kanë kaluar dy ditë. Shpresoj të na lejojnë sot.”
Robbie mohon se familja rrezikon ndonjë akuzë penale, duke thënë se qeni ishte “i lidhur, i ushqyer dhe pa histori agresioni”.
Disa ditë më parë, Leo kishte festuar ditëlindjen e tij të dytë.
“Gjithmonë kam pasur një ndjenjë frike, si një parandjenjë… Sikur nuk do ta kisha për shumë gjatë. Dhe tani kjo ka ndodhur,” thotë ajo mes lotësh.
“Ne vrapuam jashtë dhe Leo ishte në tokë”
Sipas saj, vajza e madhe e familjes ishte e para që alarmoi:
“Hyri brenda dhe tha: ‘Pit bulli e kafshoi.’”
Prindërit dolën me vrap:
“Leo ishte në tokë, qeni nuk ishte sipër tij. Leo nuk po lëvizte. Ishte vetëm një kafshim… Nuk e imagjinonim kurrë se mund të ndodhte.”
Familja ka edhe dy fëmijë të tjerë, në shkollë të mesme dhe në klasat e ulëta. Për këtë arsye, psikologë dhe punonjës socialë janë dërguar në dy shkollat për të ofruar mbështetje psikosociale.
Ministria e Arsimit në Greqi shprehu “dhimbjen e thellë” për humbjen tragjike dhe siguroi se do të vazhdojë të monitorojë situatën, duke marrë çdo masë të nevojshme për mbështetje ndaj familjes dhe komunitetit shkollor.