Mondi Mëhalla e dhunoi pranë karburantit disa ditë para atentatit: Në kërkim biznesmeni nga Elbasani. Dyshohet se porositi vrasjen

Me tre persona në paraburgim dhe dy të tjerë në kërkim, Policia e Elbasanit ka zgjeruar dyshimet ndaj personave të tjerë të përfshirë në ekzekutim. Këtë e ka mundësuar dëshmia e njërit prej të shoqëruarve të parë, i cili ka folur për një konflikt të Mondi Mëhallës me një tjetër biznesmen në Elbasan, të një profili të ngjashëm, atë të automjeteve me qira.

Bëhet fjalë për një 35-vjeçar, të shpallur zyrtarisht në kërkim, me emrin Oklid Dalipi. Nuk dihet në cilin vit dhe për çfarë arsyesh i riu, sot i regjistruar me mbiemrin El Ouejd, ka ndryshuar identitetin në gjendjen civile.

Sipas Policisë së Shtetit konflikti ka nisur nga një marrëveshje tregtare e papërfunduar me vlerë 700 mijë euro.

Rreth 10 ditë para vrasjes Mëhalla kishte ushtruar dhunë fizike ndaj El Ouejdit në karburantin Xhaxhi Oil.

Për të shmangur detyrimin financiar El Ouejdi kishte ofruar si kompensim katër apartamente në Tiranë me probleme pronësie, gjë që rriti tensionin mes tyre.

Më 10 ditë pas përplasjes fizike Mondi Mëhalla u qëllua me tre plumba dhe u vra

Për lokalizimin e 35-vjeçarit janë zhvilluar disa kontrolle, por deri tani pa rezultat. Burime thonë se dyshohet të jetë larguar në drejtim të vendeve fqinje në mënyrë ilegale, gjë që vështirëson arrestimin e tij.

Ndërkohë, hetuesit kanë në duar prova të reja që përforcojnë dyshimet se qitësi mund të jetë i arrestuari nga Përrenjasi, Nevzat Spaho. Makina në pronësi të tij, një “BMW”, është konstatuar duke lëvizur në fshatin Mirakë gjatë momenteve kur është djegur “Audi”-ja e përdorur në krim, e faktuar përmes kamerave të sigurisë.

Në burg për ngjarjen ndodhen edhe ish-ortaku i Mëhallës, Xhino Ago, dhe banakieri i karburantit “Xhaxhi Oil”, Kujtim Pisha. Të dy kanë dorëzuar deklarata nga familjarët e Mëhallës se nuk dyshojnë të jenë të përfshirë në vrasje, por kjo nuk e ka bindur Gjykatën.

Mondi Mëhalla u ekzekutua sapo doli nga shtëpia e nënës së tij, shumë pranë karburantit, dhe hyri në makinë. Autori zbret i qetë nga “Audi”-ja, afrohet te xhami i “Range Rover”-it dhe qëllon gjashtë herë, nga të cilët dy plumba e kapën në kokë.

Në kërkim vijojnë të jenë edhe Armando Kola dhe Marselo Aranin, të cilët dyshohet se ishin pjesë e grupit që mori “Audi”-n e përdorur në krim, e cila më pas u shkrumbua në fshatin Mirakë të Librazhdit.