Djali i Azem Hajdarit krah Berishës në Ditën e Rinisë: “Babai la garant motrën dhe vëllain tim për të fituar besimin e studentëve”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përkujtoi sot Ditën e Rinisë, 8 Dhjetorin, një festë kombëtare e vendosur në nder të lëvizjes studentore të vitit 1990 që shënoi fillimin e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri.

Në Qytetin e Studentit, aty ku 35 vite më parë nisi revolta studentore, Berisha zhvilloi homazhe pranë memorialit, i shoqëruar edhe nga djemtë e Azem Hajdarit, figurës kryesore të protestave të asaj kohe. Pamjet e sotme e treguan liderin e opozitës të ulur pranë tyre në të njëjtin vend ku Hajdari dikur frymëzonte mijëra të rinj drejt ndryshimit historik.

Fjalën e mori djali i vogël i Azem Hajdarit, që mban edhe emrin e të atit. Në një deklaratë të mbushur me emocione, ai theksoi rëndësinë e kësaj dite dhe sakrificat mbi të cilat u ndërtuan liritë e sotme.

“Jam i nderuar të jem sot këtu, në një ditë që u përket të gjithë shqiptarëve. Duhet të jemi mirënjohës për heronjtë e lëvizjes studentore, babait tim, doktor Berishës dhe të gjithë atyre që sakrifikuan. Falë atij heroizmi, shqiptarët sot kanë mundësi të hanë çfarë duan, të vishen si duan, të martohen me kë duan dhe të arsimojnë fëmijët aty ku dëshirojnë,” u shpreh Azem Hajdari.

Ai ndau edhe momente nga jeta e babait të tij, duke kujtuar vështirësitë që Azemi përballoi që në rini, përkushtimin ndaj familjes dhe vendosmërinë e tij për të sfiduar një sistem të tërë.

Sipas tij, Azem Hajdari ishte një njeri i gatshëm të jepte gjithçka për idealet e lirisë, një lider që fitoi besimin e studentëve në ditët më të errëta të tranzicionit.

Pjesë nga fjalimi:

”Kam kënaqësinë të jem këtu sot, një ditë që ka qenë gjithë shqiptarët mendoj mirënjohës dhe falënderues për heronjtë që bënë pjesë në lëvizjen studentore, në atë kohë kryetar babain tim, doktor Berishën, dhe shumë heronj të tjerë. Falë atij heroizmi, shqiptarët duhet të dinë se ajo gjakderdhje që u bë aso kohe u dha mundësinë shqiptarëve të hanë ushqimet që dëshirojnë, të vishen si dëshirojnë, të martohen me atë që dëshirojnë, të shkollojnë fëmijët aty ku duan.

Momenti kur babai im ishte në momentin më përçarës që mori hapin për t’u bërë drejtues i lëvizjes studentore ishte një moment kur ai ishte i ri dhe dua të them që sapo ishte bërë me fëmijë.

  1. Babi im ka qenë një person… dua të tregoj dhe pak për babin. Babi ka qenë një person që kur erdhi herët në Tiranë për të kryer studimet ishte një person që donte të merrte të ardhmen e tij, ra në dashuri me nënën time dhe si pasojë e agresionit u desh ta rrëmbente dhe të shkonin në Tropojë, pasi dashuria e tyre ishte e pamjaftueshme për t’u bashkuar me njëri-tjetrin. Imagjinoni ku shkonte agresioni komunist.

Në momentin kur ai u bë me familje në Tropojë, ai u nis drejt Tiranës me qëllim që të arrinte që shteti të ishte në funksion të njerëzve.

Ndërsa gjyshi im, duke qenë se ishte pasojë e kohës që jetonim në atë kohë, e mendonte të pamundur që djali i vet të vinte në Tiranë dhe të hidhte poshtë sistemin më agresiv që ka njohur Ballkani dhe Europa. Ai thoshte: “Lëri këto ëndrra, se e ke të pamundur ta bësh këtë gjë”, dhe në një kohë qeshte. Por Azemi nuk mendonte sot për sot dhe ishte një njeri që donte të mendonte më afatgjatë.

Azemi u nis për Tiranë, ku njohu vëllezërit dhe shokët e tij dhe kaloi një nga momentet më të vështira.

Dhe në ditët kur kaosi i momentit që solli kjo situatë dhe studentët u konfuzuan pak, se ishin shumë njerëz, studentët nuk po dinin ku të drejtoheshin dhe aty babai im, një shkallë më lart, la garant fëmijët e tij, motrën dhe vëllain tim, duke u thënë: “Lë garant fëmijët e mi, nëse unë ju tradhtoj juve, kam tradhtuar fëmijët e mi”.

Gjë që studentët atë kohë i shtangu se si një person mund të sakrifikonte çdo gjë për lirinë dhe demokracinë e këtij shteti.

Në atë moment ai mori besimin e shokëve të tij. Por çfarë ndodhi në këtë moment? I duhej më shumë punë për ta drejtuar këtë lëvizje dhe kujtoj me të qeshur historitë që më tregonin: babai jot merrte një kovë me ujë të ftohtë dhe e vendoste te këmbët me qëllim që të lexonte dhe të mos e zinte gjumi.

Ai ishte një baba shumë i dashur. Po, Azemi ishte një njeri sportist, ishte një person që pavarësisht agresionit politik dhe situatave voluminoze gjente kohë që të jetonte me vëllain tim, luante si të ishte një fëmijë për t’i bërë shok vëllait tim. Ai i drejtohej përsëri politikës deri në dy të natës, që priste gazetën që ta lexonte dhe të ishte i përgatitur, dhe që në mëngjes të priste njerëzit për të diskutuar.”