Dalin të dhënat/ Ja sa nxënës u kapën me armë dhe sa konflikte fizike u raportuan në vend. Oficerët e sigurisë nën presion

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxjerrë një raport alarmues mbi sigurinë në institucionet arsimore, pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në vitin 2024. Sipas gjetjeve, shkollat parauniversitare paraqesin rrezik të lartë incidentesh, ndërsa roli i oficerëve të sigurisë rezulton joefektiv për shkak të koordinimit të dobët institucional dhe mungesës së fondeve. Vetëm 0.4% deri në 0.6% e buxhetit të Ministrisë së Arsimit është përdorur për çështjet e sigurisë.

Raporti evidenton se problematika më e shpeshtë në shkolla është dhuna fizike, me 892 raste të referuara gjatë periudhës së auditimit. Më pas vjen dhuna psikologjike/verbale me 333 raste, ndërsa bullizmi renditet i treti me 186 raste. Po ashtu, janë raportuar 178 raste kërcënimesh, shantazhesh dhe përndjekjesh, si dhe 133 raste të përdorimit të drograve, cigareve apo alkoolit.

Ndërkohë, indikatorët e sigurisë janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë periudhës së parë të vitit shkollor 2024–2025. Vetëm në katër muaj janë regjistruar 528 incidente, ku dominojnë rastet e dhunës fizike, ndërsa 8 nxënës janë kapur me armë. Sipas KLSH-së, mosmbulimi i të gjitha shkollave me oficerë sigurie ka cenuar ndjeshëm sigurinë në ambiente arsimore. Edhe aty ku oficerët janë të pranishëm, raporti thekson se aktiviteti i tyre nuk përputhet me nevojat reale, pasi mungon kontrolli fizik i nxënësve dhe i mjediseve.

Situata është veçanërisht problematike në disa qarqe. “Në Kukës dhe Gjirokastër ka një oficer sigurie për çdo 25 shkolla, ndërsa në Tiranë raporti është një oficer për çdo 3-4 shkolla”, thuhet në raport.

Një tjetër gjetje shqetësuese është fakti se raportimi i incidenteve nga oficerët e sigurisë nuk është detyrim ligjor. Edhe kur raportime bëhen, ato nuk përpunohen apo analizohen më tej nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP). Për më tepër, shumë oficerë janë shprehur se janë vënë nën presion nga drejtuesit e shkollave për të mos raportuar incidente, nga frika se institucioni mund të etiketohej si “shkollë problematike”.

“Kjo sjell një panoramë të pasaktë mbi realitetin në shkolla dhe pengon marrjen e masave efektive për garantimin e sigurisë”, nënvizon KLSH, duke shtuar se nga shtatori 2021 deri në dhjetor 2024 janë referuar vetëm 182 raste të parandalimeve, çka tregon se të dhënat janë jo të plota.

KLSH rekomandon që brenda vitit 2026 të krijohet një strukturë e dedikuar për raportimin e problematikave të sigurisë në shkolla dhe kërkon nga Ministria e Arsimit ngritjen e një mekanizmi funksional për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, me synimin për të rritur transparencën dhe besueshmërinë në institucionet arsimore.