Një telefonatë anonime në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, ku denoncohej pirja e duhanit në ambientet e brendshme të Kuvendit, çoi në zbarkimin e menjëhershëm të inspektorëve në bar–kafen e Parlamentit. Deputetët, pas më shumë se 12 orësh seancë maratonë, kishin shfrytëzuar hapësirën për të pirë një cigare, por mbetën të habitur kur panë inspektorët brenda territorit të institucionit.
Gazment Bardhi u njoftua menjëherë dhe e ngriti çështjen në seancë plenare, duke deklaruar se kontrolli ishte i paligjshëm pa autorizimin e Parlamentit:
“Nuk ushtron dot kontroll prokuroria pa autorizim të seancës plenare. Jeni duke shkelur kushtetutën,” u shpreh Bardhi.
Ministrja Sala, në anën tjetër, konfirmoi se inspektorët ishin të autorizuar për të kryer kontrolle sipas ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Por kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, edhe pse pranoi se duhani nuk duhet lejuar, mbështeti argumentin procedurial të Bardhit:
“Forma e inspektimit është tjetër çështje. Për momentin, inspektorët të largohen.”
Pas debatit, Inspektorati publikoi një reagim zyrtar ku sqaroi se inspektimet janë pjesë e programit vjetor dhe kryhen kudo ku ka indicie për shkelje, pa kufizim sezonal. Sipas ISHSH, vetëm gjatë periudhës 1 tetor – 4 dhjetor 2025 janë kryer 1411 inspektime në të gjithë vendin, përfshirë edhe atë në Parlament, të realizuar më 4 dhjetor në orën 13:00 dhe sërish në 21:00.
Në njoftim theksohet se inspektimi në Kuvend u krye në zbatim të urdhrave të brendshëm dhe të ligjeve për inspektimin dhe mbrojtjen nga produktet e duhanit, ndërsa institucioni mbetet i angazhuar për zbatimin rigoroz të ligjit dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit institucional për të garantuar respektimin e ndalimit të duhanit në ambiente të mbyllura.